Vizitë studimore dhe akademike e UKZ-së në Maqedoninë e Veriut
Stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” realizuan një vizitë studimore dhe akademike në Maqedoninë e Veriut, me fokus në forcimin e përvojës institucionale të studentëve dhe avancimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UKZ-së zhvilloi një vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku profesorët dhe studentët u priten nga Kryetari i Kuvendit, z. Afrim Gashi. Gjatë takimit, z. Gashi ndau reflektime të rëndësishme mbi fuqizimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, si dhe mbi rolin e diplomacisë parlamentare në ndërtimin e stabilitetit, dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Vizita në Kuvend u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, ndërsa pjesë e delegacionit ishin studentët dhe profesorë të Fakultetit të Shkencave Social, si, Syle Ukshini, Avni Rudaku, Blerim Haziri, Refik Ramadani, Arsim Avdiu, dhe sekretari i Fakultetit, Petrit Canaj. Për studentët, kjo vizitë ishte një përvojë e drejtpërdrejtë akademike dhe institucionale, duke pasur mundësinë të kuptojnë nga afër funksionimin e institucioneve parlamentare, rolin e përfaqësimit politik dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.


Njëherësh, stafi dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik të UKZ-së realizuan një vizitë zyrtare edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Delegacioni u prit nga Dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, Prof. Dr. Safet Emruli, si dhe nga Prof. Dr. Afet Mahmuti.
Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv mbi avancimin e bashkëpunimit ndërmjet UKZ-së dhe USHT-së në disa dimensione akademike dhe institucionale. Në veçanti, u diskutuan mundësitë për vazhdimin e organizimit të konferencave të përbashkëta shkencore, zhvillimin e programeve të mobilitetit për stafin dhe studentët, si dhe inicimin e programeve të përbashkëta studimore, me fokus në ciklin e studimeve master. Të dy dekanët, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Prof. Dr. Safet Emruli, u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të komunikimit dhe koordinimit institucional, me qëllim konkretizimin e këtyre iniciativave në aktivitetet e ardhshme.


Në kuadër të kësaj vizite, stafi dhe studentët e UKZ-së realizuan gjithashtu një vizitë në kampusin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke u njohur nga afër me infrastrukturën, ambientet mësimore dhe kushtet e ofruara për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit Juridik të USHT-së.


