Viti – Komiteti për Politikë dhe Financa mban mbledhjen e parë
Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e parë, ku janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për funksionimin e komunës dhe planifikimin për vitet në vijim.
Kryesuesi Bekim Azizi njoftoi për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve, duke theksuar se shumica e dokumenteve të nxjerra nga Kuvendi Komunal i Vitisë janë vlerësuar si të ligjshme.
Anëtarët e komitetit diskutuan pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–dhjetor 2025, si dhe ecurinë e shpenzimeve dhe realizimin e projekteve. Po ashtu, u trajtua propozimi për caktimin e orarit të pagesës së takimeve të Kuvendit Komunal për vitin 2026 dhe formimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Në rend dite ishin edhe përfaqësimi i komunës në Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe aprovimi i buxhetit të pjesëmarrjes për fermerët për vitin 2026, përfshirë raportin e progresit të këtij programi.
Jashtë rendit të ditës u shqyrtua propozimi për ndërrimin e destinimit të parcelës nr. 1088-2 në Sllatinë të Epërme, me qëllim ndërtimin e një qerdheje.
Të gjitha pikat u proceduan për shqyrtim dhe miratim në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, ndërsa në pyetjet e anëtarëve, në emër të ekzekutivit, u përgjigj zëvendëskryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

