
Universiteti “Kadri Zeka” hap afatin për regjistrimin e lëndëve të semestrit dimëror
Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka njoftuar studentët e Fakulteteve të Edukimit, Juridik, Ekonomik, Shkencave Kompjuterike dhe Shkencave Sociale, nivel Bachelor, se regjistrimi i lëndëve për semestrin dimëror të vitit akademik 2025/2026 do të zhvillohet nga 7 deri më 12 tetor 2025.

Universiteti bën me dije se studentët e Fakultetit Ekonomik dhe të Shkencave Kompjuterike duhet së pari të zgjedhin specializimin e tyre para regjistrimit të lëndëve. Po ashtu, në rast mungese të profesorëve sipas orarit të ligjëratave, studentët duhet të regjistrojnë lëndën me profesor të pacaktuar.
Për Fakultetet e Edukimit, Juridik, Shkencave Kompjuterike dhe Shkencave Sociale, regjistrimi i lëndëve do të bëhet në përputhje me vendimet e Këshillit të Fakultetit, që mund të vendosin kufizime të caktuara.
Studentët që përdorin për herë të parë sistemin SMU mund të konsultojnë Manualin për Studentë për udhëzime mbi regjistrimin e lëndëve dhe qasjen në sistem. Hyrja bëhet me numrin personal, i cili shërben edhe si fjalëkalim fillestar, ndërsa më pas ata janë të obliguar të ndryshojnë fjalëkalimin sipas udhëzimeve të Manualit.
