UKZ organizon vizitën e akreditimit për programet e studimit Matematikë dhe STEM BSc si dhe për programin E-privacy, AI dhe Mbrojtja e të Dhënave MSc
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” u zhvillua vizita e akreditimit të dy programeve të studimit: Matematikë dhe STEM, BSc 180 ECTS program ky i Fakultetit të Shkencave Aplikative dhe E-privacy, AI dhe Mbrojtja e të Dhënave, MSc 120 ECTS, program i përbashkët i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetit Juridik në UKZ.
Kjo vizitë u realizua nga Ekipi i Ekspertëve Ndërkombëtarë, i përbërë nga Z. Peeter Normak, Z. Hasan Cakir, Z. Johannes Falterbaum dhe Znj. Nadia Manzoni, në bashkëpunim me stafin dhe menaxhmentin e fakulteteve përkatëse dhe me koordinimin e zyrtareve të Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA), Shkelzen Gerxhaliu dhe Mimoza Dobra.



Gjatë ditës, ekspertët zhvilluan një sërë takimesh të planifikuara. Ata kanë takuar menaxhmentin e fakulteteve, ku u diskutuan objektivat e programeve dhe strategjitë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, kurse në takim me stafin akademik, ekspertët vlerësuan përvojën e tyre në mësimdhënie, metodat pedagogjike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.



Ndërsa studentët ndanë përvojat e tyre në programet akademike, sfidat dhe kontributin e universiteteve në zhvillimin e tyre profesional. Ekspertët patën takim edhe me punëdhënësit dhe palët e jashtme, duke përfshirë institucione si Agjencia për Informacion dhe Privatësi, banka të ndryshme dhe drejtoritë komunale të arsimit, për të vlerësuar ndikimin e diplomave të ofruara në tregun e punës. Për të verifikuar sistemet e menaxhimit të programeve, monitorimin e performancës akademike dhe përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve, ekspertet takuan shërbimet administrative dhe njësitë e cilësisë.



Ekspertët gjithashtu vizituan ambientet dhe laboratorët e universitetit, duke vlerësuar infrastrukturën, pajisjet dhe mjedisin e punës që ofrohet për studentët. Gjatë vizitës, u theksua rëndësia e një mësimdhënie moderne dhe të përshtatur me kërkesat ndërkombëtare, si dhe mundësitë për bashkëpunim shkencor dhe inovacion.



Ky aktivitet është një hap i rëndësishëm për forcimin e standardeve të arsimit të lartë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe për sigurimin e cilësisë së programeve të studimit sipas kriterëve të agjencive ndërkombëtare të akreditimit.















