UKZ nderon jetën dhe veprën e Heroit Kadri Zeka në 44-vjetorin e rënies
Në 44-vjetorin e rënies heroike të atdhetarit Kadri Zeka, Universiteti Publik që me krenari mban emrin e tij, organizoi aktivitete përkujtimore për të nderuar veprën e tij madhore.
Fillimisht u bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ku Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i shoqëruar nga prorektorët, dekanët dhe stafi i UKZ-së, vendosën buqeta lulesh për të nderuar kujtimin e dëshmorëve.


Pas homazheve, ata bënë nderime tek shtatorja e Kadri Zekës në qytet, një simbol i krenarisë kombëtare, ku u vendosën po ashtu buqeta lulesh, duke përçuar mesazhin e respektit të përhershëm për sakrificën e tij.

Nga ana tjetër, familjarët e heroit Kadri Zeka falënderuan përzemërsisht delegacionin e Universitetit për nderimet e bëra. Duke rikthyer kujtimet për Kadri Zekën, ata ndanë momente të jetës dhe veprës së tij, duke theksuar se ai mbetet një simbol i pavdekshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut.
Ndërkohë në kuadër të Manifestimit “Flaka e Janarit 2026“, nën patronatin e kryetarit të komunës Alban Hyseni dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ushtruesit të detyrës së drejtorit Kushtrim Zeqiri, Shoqata e Historianëve të Gjilanit ka organizuar një tryezë kushtuar Heronjve të „Flakës së Janarit“ dhe është dhënë një dokumentar për Mulla Idriz Gjilanin, në të cilin organizim ka marrur pjesë edhe Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.



Rektori Dërmaku, në fjalën e tij në këtë tryezë, ka theksuar se asnjëherë nuk duhet harruar kontributin e njerëzve që sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë ne sot, duke shtuar se është i nderuar që Universiteti që ai e udhëheqë mbanë emrin e Kadri Zekës.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” e sheh këtë përvjetor si një detyrim moral për të ruajtur dhe përcjellë vlerat që la pas Kadri Zeka.
