UKZ dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi
Universiteti Publik “Kadri Zeka”, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Instituti i Historisë “Ali Hadri”, për bashkëpunim akademik dhe shkencor ndërinstitucional.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, si dhe Drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Teuta Shala-Peli.

Qëllimi i këtij memorandumi është zhvillimi i bashkëpunimit në fushën akademike, shkencore dhe kulturore, përmes promovimit të kërkimit shkencor, zhvillimit të stafit akademik dhe realizimit të aktiviteteve të përbashkëta me interes të ndërsjellë.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët janë dakorduar për organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe trajnimeve profesionale; realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe botuese; shkëmbimin e materialeve akademike dhe qasjen në burime shkencore; përfshirjen e studentëve dhe stafit në projekte të përbashkëta; organizimin e cikleve të ligjëratave me ekspertë të fushës së historisë; shfrytëzimin e bibliotekave dhe infrastrukturës akademike nga të dy institucionet.
Me këtë rast, Instituti i Historisë “Ali Hadri” ka dhuruar gjithashtu 60 tituj librash nga fusha e historisë për bibliotekën e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke kontribuar në pasurimin e fondit bibliotekar dhe mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik.
