U mbajt takimi për riakreditimin e programit Edukim Fillor-BA në UKZ
Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u zhvillua vizita në kuadër të procedurës së riakreditimit të programit Edukim Fillor-BA, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Vizita u realizua nga Ekipi i Ekspertëve i përbërë nga Giga Khositashvilli, Juliette Torabian (online) dhe Domagoj Svigir (online), ndërsa procesi u koordinua nga SHKELZEN GËRXHALIU Drejtor i Departamentit për Monitorim dhe Procedura pas Akredituese dhe Betim Sherifi Zyrtar i Lartë për Monitorim në AKA.


Fillimisht, ekspertët zhvilluan takim me menaxhmentin e fakultetit ku është i integruar programi, përkatësisht me Prof. Asoc. Nerxhivane Krasniqi, U.D. Dekane, dhe Kushtrim Demi, sekretar i njësisë akademike. Në këtë takim u diskutua për organizimin e programit, mbështetjen institucionale dhe zhvillimet strategjike.

Në vijim, u mbajt takim me përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë dhe stafin administrativ, ku morën pjesë përfaqësues të zyrave për cilësi, praktikë pedagogjike, çështje studentore, hulumtime shkencore, marrëdhënie me jashtë, zhvillim dhe karrierë, si dhe Zyra e IT-së. Diskutimet u përqendruan në mekanizmat e sigurimit të cilësisë, mbështetjen administrative dhe bashkëpunimin institucional.
Ekipi i ekspertëve zhvilloi takim të veçantë me bartësit e programit të studimit, ku u trajtuan çështje që lidhen me strukturën e kurrikulës, rezultatet e të nxënit, praktikat pedagogjike dhe përputhshmërinë me standardet e akreditimit.

Gjatë vizitës, ekspertët panë nga afër infrastrukturën dhe hapësirat mësimore të programit, përfshirë sallat e ligjëratave dhe ambientet mbështetëse për studentët.
Në takim me stafin akademik u diskutua për përvojën mësimdhënëse, angazhimin në kërkim shkencor, zhvillimin profesional dhe përfshirjen në procesin e përmirësimit të vazhdueshëm të programit.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte takimi me studentët e programit, të cilët ndanë përvojat e tyre lidhur me cilësinë e mësimdhënies, organizimin e studimeve, praktikën pedagogjike dhe mbështetjen që marrin nga institucioni.
Takimi me të diplomuarit ofroi mundësinë për të diskutuar mbi përgatitjen profesionale që kanë marrë gjatë studimeve dhe përvojën e tyre në tregun e punës, si dhe përputhjen e programit me kërkesat e profesionit.
Në fund, ekspertët u takuan me punëdhënësit e të diplomuarve dhe përfaqësues të institucioneve arsimore lokale. Diskutimi u fokusua në nivelin e përgatitjes së të diplomuarve, bashkëpunimin me universitetin dhe nevojat e sistemit arsimor në nivel lokal.
Universiteti “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të cilësisë akademike dhe përmbushjes së standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin e lartë.
