U mbajt mbledhja e Bordit Këshillëdhënës Industrial në UKZ
Në Universiteti Publik “Kadri Zeka” është mbajtur mbledhja e Bordit Këshillëdhënës Industrial (BKI), në të cilën morën pjesë Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Kryetari i Bordit Këshillëdhënës Industrial Ibrahim Krivaqa, anëtarët e Bordit, prorektorEt si dhe Sekretari i Përgjithshëm i UKZ-së.
Në këtë mbledhje u diskutua dhe u shqyrtua Rregullorja për themelimin, përbërjen, organizimin, kompetencat, funksionimin dhe raportimin e Bordit Këshillëdhënës Industrial në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Kjo rregullore përcakton misionin dhe rolin e BKI-së si një grup këshillues strategjik me karakter të përbashkët, i cili mbështet Universitetin dhe njësitë akademike në rritjen e relevancës së programeve studimore dhe përafrimin e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe industrisë.
Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi se funksionalizimi dhe rregullimi i qartë i Bordit Këshillëdhënës Industrial përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet universitetit dhe sektorit industrial. “Përmes këtij mekanizmi synojmë që programet tona studimore të jenë sa më të përshtatura me nevojat reale të tregut të punës dhe zhvillimeve ekonomike në vend. Bashkëpunimi me industrinë është kyç për ngritjen e cilësisë akademike dhe përgatitjen profesionale të studentëve tanë,” u shpreh Rektori Dërmaku.
Ndërkaq, Kryetari i Bordit Këshillëdhënës Industrial, Ibrahim Krivaqa, u shpreh se Bordi kontribuon si një platformë konkrete komunikimi dhe koordinimi ndërmjet universitetit dhe industrisë. “Qëllimi ynë është të ofrojmë ekspertizë dhe rekomandime praktike që kontribuojnë në avancimin e programeve studimore dhe në rritjen e punësueshmërisë së të diplomuarve. Përfshirja aktive e përfaqësuesve të industrisë në proceset këshilluese do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e relevancës së arsimit të lartë,” theksoi Krivaqa.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan mbetet i përkushtuar në forcimin e lidhjes ndërmjet arsimit të lartë dhe industrisë, duke synuar zhvillimin e programeve bashkëkohore dhe përgatitjen e kuadrove të afta për tregun e punës.
