Tregime të zgjedhura nga autorë të shquar botërorë – Morela – Edgar Alan Poe
Edgar Allan Poe – Lindur më 19 janar 1809 në Boston, Masaçusets të Shtetet e Bashkuara. Vdiq më 07 tetor 1849 në moshën 40-vjeçare në Baltimore, Mariland të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Profesioni Poet, tregimtar, botues, kritik letrar
Zhanret Horror, Krim, Detektiv
Martuar me Virxhinia Eliza Klemm Poe
E. A. Poe dhe veprat e tij influencuan letërsinë në Amerikë dhe në botë, si edhe fusha të tilla si kozmologjia dhe kriptografia. Veprat e tij i gjenë kudo në kulturën popullore: në letërsi, në muzikë, në filma dhe televizion. Sot, një numër i shtëpive të tij janë kthyer në muzeume.
Edgar Allan Poe – Morela
Me një ndjenjë dashurie të thellë dhe krejt të veçantë e shikoja shoqen time Morela. I hedhur në shoqërinë e saj krejt rastësisht, shumë vjet të shkuara, shpirt im, qysh pas takimit tim të parë me të, digjej me zjarre që nuk i kishte njohur më parë; por zjarret nuk ishin të Erosit, dhe e hidhur, po aq sa torturuese për shpirtin tim ishte bindja doradorase se unë nuk mundesha, në asnjë mënyrë, të kuptoja e të kontrolloja kuptimin e pazakontë apo edhe të rregulloja intensitetin e tyre të vagëllt.
Megjithatë ne u takuam, dhe fati na lidhi së bashku në altar, dhe unë nuk fola kurrë mbi pasionet apo nuk mendova kurrë mbi dashurinë. Nga ana tjetër, ajo iu vodh shoqërisë dhe, duke m’u bashkuar vetëm mua! Më bëri të lumtur. Ishte një lumturi vrarëmendjeje; ishte një lumturi ëndërrash!
Erudicioni i Morelës ishte i pafund. Talentet e saj nuk hynin në rendet e rëndomta, fuqitë e mendjes së saj ishin gjigande. E ndjeja këtë, dhe, në shumë çështje, u bëra nxënësi i saj. Shpejt zbulova se, sidoqoftë, në saj të edukimit të saj Presburgian, ajo kishte vendosur përpara meje një numër prej atyre shkrimeve mistike që zakonisht konsiderohen hedhurina të literaturës së hershme gjermane.
Këto, për shkaqe që nuk mundesha t’i hamendësoja, ishin studimi i saj më i preferuar dhe i përhershëm; dhe se, me kalimin e kohës, u bënë edhe të miat, gjë që duhej të ishte falë influencës së thjesht, por shumë rezultative, të zakonit dhe shembullit.
Gaboj ose jo, në të gjitha këto, arsyetimi im pak kishte të bënte. Bindjet e mia, ose unë harroj veten, nuk viheshin në lëvizje nga idealja, madje nuk kishte as edhe një grimcëz misticizmi që kam lexuar se është në zbulim, në rast se nuk gaboj keq, përsëri, në veprimet ose mendimet e mia. I bindur për këto, unë ja dorëzova veten patjetër udhërrëfimit të gruas sime, dhe hyra me një zemër të padrojtur në koklavitjet e studimeve të saja.
Dhe pastaj, … pastaj, i zhytur mbi faqe të ndaluara, ndjeva një shpirt të ndaluar që po lindte brenda meje, a do ta vendoste Morela dorën e saj të ftohtë mbi dorën time, dhe a do të ringjallte nga hiri i filozofive të vdekura disa fjalë zëulta, të vetmuara, kuptimi i çuditshëm i të cilave vet digjej në kujtesën time?
Dhe, pastaj, orë pas ore, a do të shtyja kohën pranë saj, dhe të shtjelloja muzikën e zërit të saj, derisa, dikur, melodia të ngjyrosej me terror, dhe ra, kështu, një hije mbi shpirtin tim, dhe unë po zbehesha, dhe dridhesha së brëndshmi nga ato tone aspak tokësore. Kështu, gëzimi papritur u shndërrua në tmerr, dhe më e bukura u bë më e shëmtuara, ashtu si Hinnon u bë Ge-Henna.

Është e panevojshme të përcaktoj karakterin e saktë të atyre shtjellimeve që, duke u rritur prej vëllimeve të përmendura, formuan, pas një kohe kaq të gjatë, gati të vetmin bashkëbisedim të Morelës dhe mua.
Nga të diturit, në atë që mund të quhet moral teologjik, do të kuptohet menjëherë dhe nga të paditurit, në të tëra rastet, pak do të kuptohen. Panteizmi i egër i Fichte; Paligjenedia e modifikuar e Pitagorasve dhe, mbi të gjitha, doktrinat e identitetit siç nxiteshin nga Schelling, ishin në përgjithësi pikat e diskutimeve ku prezantohej pjesa më e mirë e bukurisë me Morelës imagjinuese. Ai identitet që quhet personale, zoti Locke, mendoj unë, përcakton në të vërtetë se përbëhet në arsyeshmërinë e qënieve racionale.
Dhe me qenë se me person ne kuptojmë një lëndë inteligjente që ka arsye, dhe përderisa ka një ndërgjegjie që gjithmonë shoqëron të menduarin, është pikërisht kjo ajo që na bën të jemi ajo gjë me të cilën ne e quajmë veten, duke na dalluar nga qënie të tjera që mendojnë, duke na dhënë identitetin tonë personal.
Por individualizmi principial, që është nocioni i atij identiteti, që me vdekjen humbet ose nuk humbet përgjithmonë, ishte për mua, gjithmonë, një çështje me interes në rritje, jo aq shumë nga natyra hutuese dhe emocionuese i pasojave të saj se sa nga mënyra e theksuar dhe e gjallë me të cilën Morela i përmendte.
Por koha kishte ardhur kur misteri i mënyrës së gruas sime më shtypte mua si një formulë magjike. Nuk mund të duroja më prekjet nga gishtërinjtë e saj të zbërdhulët, e as tonin e ulët të gjuhës së saj muzikore, e as shkëlqimin e syve të saj melankolik. Dhe ajo i dinte të gjitha këto, por nuk fajësoi; ajo dukej e ndërgjegjshme për dobësinë time ose marrëzinë time, dhe, duke buzëqeshur, e quante fat.
Ajo dukej se ishte e ndërgjegjshme gjithashtu të një shkaku, për mua i panjohur, të tjetërsimit shkallë -shkallë të konsideratës sime; por ajo nuk më dha asnjë shenjë të natyrës së atij shkaku. Megjithatë ajo grua po tretej dita ditës.
Njolla e kuqërremtë zuri vend përfundimisht mbi faqen e saj, dhe damarët blu të gjakut mbi ballin e saj të zbehtë po dukeshin më qartë, dhe një dekik natyra ime u shkri në keqardhje, por, kur ndesha vështrimin e saj kuptues, shpirti im u ligështua dhe u trullos me shushatjen e atij që shikon poshtë në një humnerë të frikshme dhe të pamatshme.
Duhet të them atëhere se e prisja çastin e sëmundjes së Morelës me një dëshirë të padurimtë dhe shkrumbuese? Po, e prisja. Por shpirti i brishtë u mbajt fort pas asaj godine të vet argjile për shumë ditë, për shumë javë dhe muaj të bezdisshëm, derisa nervat e mia të torturuara e fituan mjeshtërinë mbi mendjen time, dhe unë tërbohesha për ditë e më shumë për shkak të vonesës, dhe me zemrën e një mizori mallkoja ditët dhe orët dhe momentet shafran, që dukeshin sikur zgjateshin e zgjateshin. Ndërsa jeta e saj e brishtë binte e binte, ashti si hijet në ditën që sosej.
Por një mbrëmje vjeshte, kur erërat ishin paqtuar në qiell, Morela më thirri pranë shtratit të saj. Ishte një mjegull e brystë mbi tokë dhe një ndritje e ngrohtë mbi ujëra dhe, midis gjetheve të pasura të pyllit të tetorit, sigurisht kishte rënë një ylber nga hapësira qiellore.
Është dita e ditëve, – tha ajo ndërsa unë po afrohesha, – dita e të gjitha ditëve ku ose jeton ose vdes. Është një ditë e bukur për bijtë e tokës dhe të jetës… ah, akoma edhe më e bukur për bijat e parajsës dhe vdekjes.
Unë putha ballin e saj dhe ajo vazhdoi: – Unë po vdes, po dua të jetoj. – Morela! – Nuk ka pasur ditë kur ju duhet të më dashuronit – por ju do të admironi të vdekur atë që në jetë ju e urrenit.
– Morela! – Po e përsëris, unë po vdes. Por brenda meje është një peng i asaj dashurie, oh sa e vogël, që ju kishit për mua, Morelën. Kur shpirti im të largohet, fëmija do të lind, fëmija yt dhe i imi, Morelës. Ditët e tua do të jenë ditë hidhërimi, ai hidhërim që është përshtypja që zgjat më shumë, ashtu si qiparisi është më qëndrestarja ndër pemë.
Sepse orët e lumturisë suaj mbaruan dhe gëzimi nuk mund të mblidhet dy herë në një jetë, ashtu si trëndafilat e Paestum që çelin dy herë. Atëhere nuk do të luash më Teian me kalimin e kohës, por, duke qënë i paditur për vjeshtullën dhe verën, ju do ta mbani me vete qefinin mbi këtë tokë, ashtu si myslimanët në Mekë.
– Morela! – i thirra unë, – e nga e dini ju këtë? – Por ajo ktheu fytyrën mënjanë mbi jastëk dhe disa dridhje po i vinin mbi këmbë, dhe kështu ajo vdiq dhe nuk ja dëgjova më zërin.
Ashtu siç e pati parathënë, fëmija e saj, të cilën e lindi ndërsa po vdiste, e cila filloi të merrte frymë vetëm në çastin kur e ëma e saj pushoi së marruri frymë, fëmija e saj, një vajzë, jetoi. Dhe u rrit me trup dhe me intelekt, duke u bërë një ngjashmëri e përkryer e asaj që kishte ikur, dhe unë e desha me një dashuri më të ethshme se sa besoja se ishte e mundur të ndjeje për një frymor mbi tokë.
Por nuk zgjati shumë dhe kjo dashuri e pastër filloi të errësohej dhe re zymtësie, tmerri dhe pikëllimi kalonin mbi të. Thashë se fëmija po rritej çuditshëm në trup dhe intelekt. Sepse vërtet e çuditshme ishte rritja e shpejt e trupit në përmasa, por tmerr, oh c’tmerr ishin mendimet pështjelluese që shtyheshin mbi mua ndërsa vëzhgoja zhvillimin e qënies së saj mendore.
A mund të ndodhte ndryshe, kur unë dita ditës zbuloja në konceptimet e një fëmije fuqitë dhe aftësitë madhore të gruas? – Kur mësime eksperience binin nga buzët e foshnjes? – Dhe kur zgjuarësia ose pasionet e njeriut madhor që unë zbulova se feksnin ora-orës nga syri i saj i plotë dhe spekullativ? – Kur unë them se të gjitha këto u bënë të dukshme për shqisat e mia të friksuara, kur unë nuk mund ta fshihja më këtë gjë nga shpirti im, madje as nuk mund t’ua hidhja atyre ndijimeve që nuk kishin kurajo që ta merrnin, a ka këtu çudi që dyshime të një natyre të frikshme dhe emocionuese u zvarritën në shpirtin tim?
Apo se mendimet e mia bënin prapa të ç’meritura nga rrëfenjat e ç’mendura dhe teoritë rrëqethëse të Morelës së mbuluar në një varr? – Unë rrëmbeva nga vëzhgimi me hollësi i botës një qënie fati i së cilës më detyroi ta adhuroja, dhe në atë botën e mbyllur të shtëpisë sime, shikoja me një ankth agonie gjithçka që i interesonte të dashurës fëmijë.
Ndërsa vitet rrokulliseshin tutje dhe unë, ditë pas dite, shikoja fytyrën e saj hyjnore, të butë dhe elokuente, duke derdhur mbi vete njëkohësisht formën e pjekurisë, zbuloja pika të reja ngjashmërie të fëmijës me të ëmën, melankolisë me të vdekurën.
Këto hije ngjashmërie me orë bëheshin më të zymta dhe më të plota, më të përcaktuara dhe më hutuese, por edhe më shëmtisht të tmerrshme. Mund ta përballoja që buzëqeshja e saj ishte si e të ëmës, por dridhesha përpara ngjashmërisë së përkryer të syve të tyre, dhe megjithatë mund ta përballoja, por, sytë e saj shikonin shumë dendur në thellomat e shpirtit tim me atë kuptimin e fuqishëm dhe çuditës të Morelës. Dhe në ravijëzimet e ballit të lartë, dhe në krelat e flokut të saj të mëndafshtë, dhe në gishtërinjtë e zbehtë, dhe në tonet e trishtuara muzikore të fjalës së saj, dhe, mbi të gjitha, … oh, mbi të gjitha, në frazat dhe shprehjet e të vdekurës në buzët e të shtrenjtës dhe të gjallës, gjeta lëndën e parë për mendime dhe tmerre vet ngrënëse, për një krimb që nuk do të vdiste.
Kaluan kështu dy pesëvjeçarë të jetës së saj, por akoma ajo ishte pa emër mbi këtë tokë. “Fëmija im” dhe “dashuria ime” ishin zakonisht dy emërtimet me të cilat e quante dashuria e babait; dhe vetmimi rigoroz i ditëve të saj pengonte të gjitha bisedat e tjera mes tyre.
Emri i Morelës vdiq me të në çastin e vdekjes së saj. Me bijën nuk kisha folur kurrë për të ëmën, ishte e pamundur të flisje. Vërtet, gjatë periudhës së shkurtër të ekzistencës së saj, ajo nuk kishte marrë asnjë përshtypje nga bota e jashtme, me përjashtim, ndoshta, çfarë mund t’i jetë ofruar nga kufijntë e ngushtë të intimiteteve të saj.
Ceremonia e pagëzimit i paraqiti mendjes sime, në kushtet e trazimit dhe shkatërrimit ku ndodhej, një paraqitje të tmerrit të fatit tim. Në çastin e pagëzimit unë ngurova për një emër. Në buzët e mia vinin mizëri emrat të zgjuarash e të bukurash, të kohëve të vjetra dhe atyre moderne, nga toka ime apo nga dhera të huaja, shumë syresh të butë, të lumtur, të mirë.
Po ç’gjë më bëri atëhere të shqetësoja kujtesën mbi të vdekurën e varrosur? Cili demon më nxiti të shqiptoja atë tingull, i cili, thjesht duke e kujtuar, gufonte gjakun e purpurt në rrëke nga koka tek zemra.
Cili gjakpirës foli që nga skutat e shpirtit tim, kur në ato rrugica të zbehta të kishës dhe në qetësinë e natës unë pëshpërita në veshin e njeriut të shenjtë rrokjet – Morela? Çfarë më shumë se djalli tronditi tiparet e fëmijës sim dhe u përhap me hije vdekjeje, kur pas atij zëri tim, pothuaj të padëgjueshëm, ajo ktheu sytë qelqor nga toka tek qielli, dhe duke rënë përdhe, mbi rrasat e zeza të kriptës sonë të lashtë, u përgjigj: “Unë jam këtu!”
Të qarta, të ftohta, qetësisht të qarta ranë ato pak tinguj të thjeshtë brenda në veshin tim dhe, si plumb i shkrirë, u rrukullis duke fërshëllyer brenda trurit tim. Vite, vite mund të kalojnë, por kujtimet për atë epokë, kurrë.
Vërtet nuk isha i padijshëm mbi lulet dhe verën, por këlkaza dhe qiparisi më errësonin ditë dhe natë. Unë nuk regjistrova as kohën e as vendin, dhe yjet e fatit tim u venitën në qiell, dhe kështu toka po errësohej, dhe siluetat e saj kalonin pranë meje rrëshqanthi si hije, dhe mes tyre, gjithçka që ruajta, ishte – Morela. Erërat e hapësirës qiellore frynin vetëm një tingull në veshët e mi, dhe valëzat në det pëshpërisnin pambarim – Morela. Por ajo vdiq; dhe me krahët e mi e mbarta për tek varri i saj.
Qesha atje me një të qeshur të gjatë e të hidhur sepse nuk gjeta asnjë gjurmë të Morelës së parë në varrin ku varrosa edhe të dytën – Morela.
