Tërnava uron Krishtlindjen: Festat fetare tek ne gjithmonë kanë përçuar unitet, dashuri e mirëkuptim
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e Festës së Krishtlindjeve i ka dërguar mesazh urimi ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji.
Tërrnava thotë se Festa e Krishtlindjes është moment i veçantë për besimtarët e krishterë, sepse sipas tij, në zanafillën e saj ka lindjen, shpresën e mbarësinë.
“Me nderim e respekt të posaçëm, në këtë ditë të shënuar për besimtarët e krishterë, më lejoni që t’ju drejtohem me mesazh urimi e përgëzimi Juve, meshtarëve tuaj, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi. Festa e Kërshëndellës është moment i veçantë për besimtarët e krishterë, sepse në zanafillën e saj ka lindjen, shpresën e mbarësinë”, shprehet Tërnava.
Myftiu thekson se festat fetare, kanë përçuar unitet, dashuri e mirëkuptim.
“Festat fetare te ne, ashtu si edhe besimet tona, te populli ynë gjithherë kanë qenë momente të reflektimit, që kanë përçuar unitet, dashuri, mirëkuptim e harmoni, vlera këto të shtresuara thellë në identitetin tonë. Zotni Ipeshkëv, përmes jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi”, thotë Tërnava.