
Temperaturat e larta dhe erërat e forta, vatra zjarresh shpërthejnë në shumë pjesë të Kosovës
Disa pjesë të vendit, janë përfshirë nga zjarri të shtunën pasdite.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se situata e përcjellë nga Qendra Operative e Agjencisë rezulton me gjithsej 29 vatra të zjarreve në 8 orët e fundit, 17 nga ato janë lokalizuar, deri sa 12 vatra zjarri mbeten aktive.

Ndërkaq, për shkak të situatës së rënduar kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë thirrje për ndihmë për të shuar zjarret që kanë kapluar disa fshatra të kësaj komune.
“Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje për shuarje zjarri le të ndihmoj në hapësirën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht”, shkruan ai.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka kërkuar ndihmë për shuarjen e vatrave në fshatrat Dubravë, Sallagrazhdë dhe Mushtisht.
Zjarret kanë përfshirë edhe disa fshatra të Prizrenit.
Në pamjet e publikuara në mediat lokale të Prizrenit, shihet zjarri i madh që ka përfshirë fshatin Lubizhdë, derisa po rrezikohen të digjen edhe shtëpitë.
Edhe në Ferizaj, zjarrfikësi Zmyri Krasniqi ka postuar në Facebook disa fotografi nga terreni, ku po lufton për të lokalizuar flakët. Ai gjithashtu ka ndarë një imazh të një kolegu që është lënduar gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se vazhdojnë të përballen me vatra të reja zjarri edhe në fshatrat përreth Pakashticës, si Metehia dhe Repa.
Bulliqi në një postim në Facebook shkruan se situata është e rëndë dhe kërkon angazhim të përbashkët.
“Po vazhdojmë të përballemi me vatra të reja zjarri edhe në fshatrat përreth Pakashticës, si Metehia dhe Repa. Ekipet tona janë të angazhuara maksimalisht në terren, me mbështetjen edhe të Agjencisë për Menaxhim Emergjent dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Situata është e rëndë dhe kërkon angazhim të përbashkët. U bëj thirrje qytetarëve të këtyre zonave që të tregojnë bashkëpunim me zjarrfikësit dhe policinë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve dhe të mbrojmë pronat”, shkroi ai.
Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperatura ekstreme. Vetëm dje, në Klinë, u regjistrua temperatura më e lartë ndonjëherë sipas Institutit Hidrometeorologjik – 42.5 gradë Celsius.
