
Telekomi i Kosovës del me reagim: Shpenzimet për marketing janë zvogëluar në minimum dhe orientohen sipas strategjisë
Telekomi i Kosovës përmes një reagimi publik, ka konfirmuar se ka shpërndarë 200 mijë euro për marketing në pesë televizione kosovare, mirëpo ka argumentuar se shpenzimet për marketing janë zvogëluar në minimum dhe orientohen sipas strategjisë.

Vlera e tyre është saktësisht 232,696 euro e 40 centë. Në mesin e përfituesve janë mediumet, si: RTV21, Dukagjini, RTK, ATV dhe Teve1.E pasi u bë publike ndarja e këtyre kontratave marketingu, Telekomi i Kosovës ka dal me një reagim, duke bërë disa krahasime nga qeveritë e kaluara.
“Para së gjithash, duam të theksojmë se interpretimi i të dhënave të marra nga portali në fjalë ka qenë joprofesional, senzacional dhe i njëanshëm, i pabazuar në të dhëna faktike.
Ai nuk pasqyron aspak mënyrën transparente dhe profesionale me të cilën Telekomi i Kosovës ka vepruar në kontraktimin e hapësirave reklamuese.Krahasimet e bëra me praktikat e mëhershme, kur reklamat në shuma marramendëse shpërndaheshin pa kritere të qarta, në portale të sapohapura apo të lidhura me interesa partiake ose grupe interesi, janë të pabazuara dhe të papranueshme”.
Sipas Telekomit, shpenzimet janë zvogëluar bazuar me qeveritë e kaluara.Argumentet faktike:
• Shpenzimet për marketing nga Telekomi i Kosovës janë zvogëluar në minimum dhe orientohen sipas strategjisë së miratuar.
• Telekomi i Kosovës është kompani publike që operon në kushte konkurruese dhe reklamimi i produkteve dhe shërbimeve është i domosdoshëm.Në periudhën pesëvjeçare 2015–2019, Telekomi kishte shpenzuar për marketing shumën prej mbi 13 milionë €. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanalizohej në media të panjohura për publikun, shpesh pa ndonjë efektivitet të matshëm.
• Në periudhën tjetër pesëvjeçare 2020–2024, Telekomi ka shpenzuar në total për marketing shumën prej rreth 700,000.00 €.Në kuadër të strategjisë së rishikuar të marketingut, reklamimet kryesisht janë orientuar në mediat/rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.), si dhe në të gjitha televizionet me mbulueshmëri nacionale.
• Në kuadër të televizioneve nacionale janë nënshkruar kontrata marketingu me 6 prej 9 televizioneve që kanë mbulueshmëri nacionale, vlera totale vjetore e të cilave sillet rreth 200,000.00 €. Ndarja e kësaj shume në mes të këtyre mediave është bërë duke marrë për bazë matjen e shikueshmërisë në platformën e Telekomit të Kosovës dhe çmimet e ofruara nga këto televizione.Telekomi operon me platformën televizive me nënbrendin TV Vala dhe kontrakton hapësira reklamuese vetëm në televizionet që transmetohen në platformën OTT dhe IPTV të TV Vala. Kriteri për mosnënshkrimin e kontratave me 3 televizionet tjera është se këto televizione, pa arsye, nuk kanë pranuar që përmbajtja e tyre të transmetohet në platformën e Telekomit. Kjo zgjedhje bazohet në mundësinë për matje profesionale të shikueshmërisë dhe monitorim të saktë të transmetimit të reklamave.
