Telegram ngushëllimi nga Federata e Futbollit e Kosovës për ndarjen nga jeta të gazetares Elife Sherifi
Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur pikëllim të thellë për ndarjen e hershme nga jeta të gazetares Elife Sherifi.
Në telegramin e ngushëllimit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të Komitetit Ekzekutiv, klubeve dhe mbarë komunitetit të futbollit në Kosovë, u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Sherifi dhe FC Drita.
Në reagim theksohet se Elife Sherifi ishte një profesioniste e dalluar në gazetari dhe një bashkëpunëtore e përkushtuar e klubit gjilanas, ku për më shumë se gjashtë vite shërbeu si zëdhënëse.
“Ajo, me profesionalizmin dhe përkushtimin e saj, la gjurmë të veçanta në komunikimin dhe imazhin e klubit, duke fituar respektin e të gjithëve që patën rastin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të”, thuhet në telegram.
FFK ka theksuar se kjo humbje e rëndë nuk prek vetëm familjen dhe klubin, por edhe mbarë komunitetin e futbollit në Kosovë.
Në fund të telegramit, është shprehur se kujtimi për Elife Sherifi do të mbetet i përhershëm, ndërsa është përcjellë mesazhi: “I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”.
