Surroi: Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit i nxituar, vendimi përfundimtar i takon Kushtetueses
Publicisti Veton Surroi ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani, të premten, ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe ka ftuar partitë politike në një takim për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Sipas Surroit, ekziston mundësia që Kosova të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai ka theksuar se nëse kjo mundësi është e madhe, e vogël apo fare e papërfillshme, kjo është një çështje që mund ta përcaktojë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
“Asaj i takon të vendosë nëse Kuvendi i Kosovës është ende në proces kushtetues të zgjedhjes së Presidentit apo nëse afati për këtë proces tashmë ka përfunduar”, ka shkruar Surroi.
Sipas tij, përderisa ekziston kjo paqartësi juridike dhe përderisa vendimin përfundimtar mund ta japë vetëm Gjykata Kushtetuese, vendi nuk ka nevojë për vendime impulsive.
Surroi e ka vlerësuar si të nxituar dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit në mëngjesin e 6 marsit mbetet një veprim i nxituar përderisa ekziston një çështje pranë Gjykatës Kushtetuese që mund të përcaktojë nëse procesi për zgjedhjen e Presidentit është ende brenda afatit kushtetues. Në situata të tilla, prudenca institucionale do të kërkonte që të pritej sqarimi juridik”, ka shkruar Surroi.
Ai ka shtuar se, kurdo që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për këtë lëndë apo për ndonjë çështje tjetër që mund të shtrohet rreth kësaj materieje, vendi do të ketë qartësinë juridike të nevojshme.
