Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në UKZ prezantojnë dy hulumtime shkencore
Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë prezantuar rezultatet e dy hulumtimeve shkencore të realizuara në kuadër të Laboratorit të Shkencave Sociale, duke dëshmuar angazhimin e tyre aktiv në kërkimin shkencor dhe analizën e çështjeve me rëndësi shoqërore dhe akademike.
Me këtë rast Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka vlerësuar lart punën e studentëve dhe rëndësinë e këtyre hulumtimeve, duke theksuar se universiteti vazhdon të mbetet i përkushtuar në zhvillimin e kërkimit shkencor cilësor dhe në fuqizimin e rolit të studentëve në trajtimin e çështjeve me interes shoqëror, kombëtar dhe rajonal.


Edhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, ka theksuar se prezantimi i këtyre hulumtimeve nga studentët dëshmon lidhjen e suksesshme ndërmjet teorisë dhe praktikës, si dhe rolin aktiv të fakultetit në prodhimin e njohurive shkencore. Sipas tij, përfshirja e studentëve dhe nxënësve maturantë në hulumtime të tilla përbën një model të mirë bashkëpunimi akademik dhe komunitar.


Hulumtimi i parë, me titull “Ndikimi i distancës sociale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i prezantuar nga studentet Drenushë Ramadani dhe Vaxhide Gagica, trajton perceptimet, qëndrimet dhe nivelin e distancës sociale ndërmjet komuniteteve, si faktorë me ndikim në dialogun politik dhe proceset e paqes ndërmjet dy vendeve.


Ndërkaq, hulumtimi i dytë, “Preferencat e të rinjve kosovarë për destinacionet turistike në Evropë”, i cili u prezantua nga Dekani i FShS në UKZ Selim Daku, fokusohet në analizimin e prirjeve, interesave dhe faktorëve që ndikojnë në zgjedhjet turistike të të rinjve nga Kosova, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të turizmit dhe për politikat rinore.

Të dy hulumtimet janë realizuar gjatë periudhës qershor – nëntor 2025, me përfshirjen e stafit akademik, studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, si dhe nxënësve maturantë të shkollave të mesme të Komunës së Gjilanit, të cilët kontribuuan në mbledhjen dhe analizën e të dhënave.

Përmes këtyre prezantimeve, studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” po kontribuojnë drejtpërdrejt në kuptimin e sfidave shoqërore dhe interesave të të rinjve, duke krijuar bazë për debate, politika dhe iniciativa që ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e komunitetit.

