Sonte vendosen “biletat” e fundit për çerekfinale – përballje të zjarrta në Ligën e Kampionëve
Mbrëmja e sotme sjell emocione të mëdha në Ligën e Kampionëve, ku do të mësohen katër skuadrat e fundit që sigurojnë kalimin në çerekfinale të garës më prestigjioze evropiane për klube.
Në program janë katër përballje vendimtare, të cilat pritet të dhurojnë spektakël dhe rivalitet të fortë.
Vëmendja hapet në “Camp Nou”, ku Barcelona përballet me Newcastle United nga ora 18:45. Ndeshja e parë në Angli u mbyll me barazim 1-1, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.
Ndërkohë, Liverpooli do të tentojë një përmbysje të madhe përballë Galatasarayt, pasi në ndeshjen e parë në Stamboll pësoi humbje minimale 1-0.
Bayern Munich është shumë pranë kualifikimit, pasi në takimin e parë shkatërroi Atalantën me rezultat të thellë 1-6 në udhëtim, duke e bërë sfidën e kthimit më tepër formale.
Një tjetër përballje e fortë zhvillohet në Londër, ku Tottenham Hotspur pret Atletico Madridin. Skuadra angleze do të kërkojë rikthimin e madh pas disfatës 5-2 në ndeshjen e parë.
Të gjitha këto përballje pritet të përcaktojnë katër emrat e fundit që do t’i bashkohen çerekfinalistëve, në një tjetër natë të mbushur me dramë, emocione dhe futboll cilësor.
