S’ka shenja të dimrit: Java parashikohet më shumë me diell, temperaturat shënojnë rritje deri në 15°C
Gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike dhe të masave më të ngrohta ajrore.
Me përjashtim të ditës së hënë, e cila do të dominohet kryesisht nga vranësira të ulëta, nga e marta e deri në fundjavë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.
Gjatë këtyre ditëve, për shkak të kushteve të qeta atmosferike, në orët e mëngjesit, lokalisht nëpër ultësira dhe lugina mund të krijohen kushte për mjegull, e cila në disa zona, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit, mund të mbetet prezente edhe gjatë ditës. Në këto vende temperaturat do të jenë dukshëm më të ulëta, ndërsa në zonat tjera pritet të rriten, duke arritur rreth 15°C në mesjavë.

Duke vazhduar drejt fundjavës, masat e ngrohta ajrore do të dobësohen paksa, si rezultat vlerat maksimale do të pësojnë një ulje të lehtë.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, ndërsa vetëm të hënën pritet të jetë pak më e fuqishme, me shpejtësi prej 10–26 km/h. Në ditët e tjera do të jetë e lehtë.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej -3 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 6 deri në 15°C. /MeteoKosova/
