Shqiptarja Mira Murati siguron partneritet strategjik me gjigantin teknologjik Nvidia
Kompania e inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, e themeluar nga Mira Murati, ka arritur një marrëveshje strategjike me gjigantin e teknologjisë Nvidia, një nga kompanitë më të vlefshme në botë.
Sipas njoftimit të përbashkët, Nvidia do të investojë në Thinking Machines Lab dhe do të furnizojë kompaninë me çipa të avancuar për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale, raportoi Bloomberg.
Në kuadër të marrëveshjes shumëvjeçare, kompania do të përdorë gjeneratën e re të çipave të inteligjencës artificiale “Vera Rubin”, të zhvilluar nga Nvidia, të cilët pritet të hyjnë në përdorim në fillim të vitit të ardhshëm. Këta çipa do të ofrojnë një fuqi kompjuterike prej rreth 1 gigavat – e barabartë me energjinë e nevojshme për të furnizuar rreth 750 mijë shtëpi.
Drejtori ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, vlerësoi ekipin e Thinking Machines si ekspertë të nivelit botëror që po shtyjnë përpara kufijtë e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
“Jemi të entuziazmuar të bashkëpunojmë me Thinking Machines për të realizuar vizionin e tyre për të ardhmen e AI-së”, tha Huang.
Nga ana e saj, Murati theksoi se ky partneritet pritet të përshpejtojë zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale që përdoruesit mund t’i personalizojnë dhe përdorin për të rritur potencialin e tyre.
Nën drejtimin e saj, Murati – e cila më parë ka shërbyer si drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI – ka ndërtuar një ekip me dhjetëra ekspertë dhe ka lansuar produktin e parë të kompanisë, Tinker, në tetor. Ky shërbim ndihmon përdoruesit të përmirësojnë modelet e mëdha gjuhësore, teknologjinë që fuqizon chatbot-et si ChatGPT.
Megjithatë, kompania ka përjetuar edhe disa largime të stafit gjatë muajve të fundit, përfshirë drejtorin e saj të teknologjisë, i cili iu bashkua sërish OpenAI-së.
