Shkruan, Çun Lajçi: Dikush më kërkoi të shkruaj pak e të them shumë!
Unë nuk shkruaj “kashë-lashë” për atdheun, sepse vetëm një poet diti të përdorë aq pak fjalë e të thotë aq shumë mendime. “Atdheu është dheu i birit e i atit e i shpirtit të shenjtë”, tha ai. Kush e kuptoi, e kuptoi; kush s’deshi, mbeti në udhëkryq e duarkryq.
Unë s’jam ai poeti Shkreli. S’jam Kant, Aristotel, as Hegel. Veprat e tyre i nisa e i lashë, u ktheva e prapë mbeta i humbur në fushat e tyre të ndritshme. U largova me drojë, mos po marr nga mendimet e tyre zjarr e po mbetem veç qymyr në minierat e kohës sime.
Më kërkove të shkruaj pak e të mos zgjatem. Por më të shkurtër se “kashë-lashet” nuk pata guxim të shkruaj. Nuk ma mori mendja se mund të jem kaq i përmbledhur si poeti i madh e kaq i thellë si filozofët.
Kërkoj ndjesë nga përmbledhja jote: unë s’jam i vargut të shkurtër, por i rrugëve të gjata. Të gjata i pata këngët, ato për agët e Utbinës; e sa herë i këndova, më thanë: pse i shkurtove, pse s’i çove deri në fund?
Të shkurtra i pata vetëm ëndrrat.
Fjalët për lirinë më dolën gjithmonë të gjata.
Sepse liria nuk ngopet me një thirrje.
Ajo kërkon kujtesë të gjatë e mendim të gjatë.
Nuk u ngopa duke shkruar emrin e saj. Sepse dikush para meje kishte thënë: atdheu është i pavdekshëm dhe vargjet e poetëve s’guxojnë të jenë më të shkurtra se jeta e atdheut.
Nuk jam as Nastradin Hoxha që të shëtis botën me gomar e të mos di nga t’i hip e nga të zbres.
Unë e di se atdheu është kudo në trupin e njeriut:
pak në kokë, pak në këmbë,
pak në bark,
pak në sy e në vrimat e hundëve.
Nëse nuk e gjete diku në këto vrima të mia, s’kam faj që shkruaj; ke faj ti që s’e gjete.
Unë ju thashë: më lini aty ku më gjetët — jashtë gardhit, nën qiell të hapur, pa i pasur borxh kujt për frymën që marr.
Shkrimet e mia janë plot dashuri për atdheun, por jo edhe xhepat plot.
Liria është frymë, jo epoletë në krah.
Jo medalje në gjoks.
Jo hektarë tokash, vila, hotele e vetura.
Liria është ajri i pastër i atdheut, pa kushte.
Nuk ironizova me brohoritje, por me fotografitë e atyre që deshën të na tregojnë sa shumë e duan atdheun pikërisht atëherë kur ai kërkon ndërgjegje e jo poza.
Unë jetoj në hapësirën mes vetmisë dhe lirisë, mes erës dhe kujtimit, por kurrë në fotografitë e premtimeve të rreme.
Mos u merrni me mua. Unë e di në cilën rrugë jam nisur e ku do të përfundoj.
Por ju po harroni diçka:
atdheu ka vetëm një rrugë —
atë të ndërgjegjes.
19.02.2026
