Shkruan: Afrim Demiri – Kur një letërsi të vjen nga një libër
Letërsia koreane deri tash e panjohur për ne, befas na erdhi nga një libër apo më mirë të them nga një autore.
Shpesh nuk mendojmë për letërsitë e vendeve të caktuara, sikur ato heshtin bashkë me margjinalizimin e vendit të tyre në proceset globale, apo thjeshtë për shkak të mosinformimit tonë izolohemi në rrethin tonë letrar dhe kaq.
Pak gjeografi, jo vetëm për shaka: Azia e afërt, e mesme, Azia e largët. A vlenë të krijojmë sintagma të ngjashme, si Letërsia e largët apo Letërsia huaj duke nënkuptuar letërsinë nga vendet e largëta?!
Shkruan: Afrim Demiri
Shtëpia botuese “Onufri”, botuesi dhe në këtë rast edhe përkthyesi Bujar Hudhri, na i ka afrue gjeografinë dhe letërsinë koreane duke na ofrue librin e koreanës Kang, “Vegjetariania”.
Më vjen mirë që sot jemi së bashku pra, për të folur për Letërsi të Huaj, mbase është hera e parë në këto shumë vite që jemi bashkë, të mbledhur rreth Arsclubit, po flasim për një shkrimtar të huaj dhe atë për një Nobeliste! Pse e huaj? Si e quajnë popujt e tjerë letërsinë botërore, të huaj apo ndoshta më mirë të thuhej letërsi e krijuar nga të tjerët, sepse askush si letërsia nuk flet më mirë me gjuhën njerëzore universale.
Mu dashtë t’i kalojë 12mijë hapa deri tek libri “Vegjetariania”, Atë ditë që e kërkoja nëpër libraritë e Prishtinës, njehësuesi digjital njk ndalej.Mbase në Qendrën tregëtare- “Prishina Mall”, kërkoja mallin më të çmuar, por në atë turmë blerësish, në atë vorbull të konsumit, mund të isha i vetmi që bleja një libër, një libër të Letërsisë së huaj, e pastaj të një letërsie të largët, të panjohur… E nëse është e huaj pse Johnje po na bashkon sot. Fati i saj dramatik pse po na ngashëren!
Libri përbëhet nga tri shtylla, tre kapituj.
I. Vegjetariania
Nuk e di si tungëllon koreanishtja, paragjykimi im më thoshte disi si kinezishtja apo si japonishtja, e provova në gpt por as nuk nxorti tingull. Hapa Yotuben për një film korean dhe më tingëlloi një gjuhë e toneve të buta, ku më dukej se fjalët mbaronin me një nj, me një nje apo h në mes të n dhe j, sikur tek rasti i kryepersonazhit të librit, Jonhje.
Që në fillim të leximit pata përshtypjen se po lexoja letërsi të asaj që nuk thuhet ose letërsi të mendimeve të ndaluara.
Aty ku ndodhte depersonalizimi i protagonistit kryesor për t’i personalizuar personazhet periferik që ktheheshin në protagonist.
Përshkrime të ndieshme përtej vizualitetit me depërtime emotive diçka që kemi përjetuar mbase tek Lolita e Nabokovit.
Dikur mbizotëronin romanet me emra grash si Çoçarja e Moravisë, Lolita e Nabokovit dhe ja tash Vegjetariania e Kang apo thjeshtë vetëm Johnje. Vërtet nuk e di pse romani nuk quhet Jonhje. Derisa tek Çocarja e Moravisë është fati i nënës me të bijën në përfundim të LDB-së deri në përdhunim, tek Lolita 1955, përsëri shfaqet fati i femrës i cenuar nga joshja ndaj një të miture deri në kufinj të pedofilisë. Në të dy romanet me namë morali cenohet deri në kufinj të padurueshëm.Erotizmi, erotika poronografia shpesh ngatërrohen me qëllim apo pa qëllim. Jo rrallë i ngatërron edhe kritika!
Mirëpo mos e harroni Veronikën e Coelhos e cila vendos të vdes e cila e plotëson harkun e personazheve të tjetërsuara apo të irituara nga rrethi.Këto reflektime më janë paraqitur në pjesën e parë.
2. Njolla mongoliane
Me Vegjetarianien na krijohet një trekëndësh ku realacionet sociale sjellin botën e panjohur të femrës, cenimin e pozitës së saj, integritetit të saj deri në keqpërdorim.
Rrëfimi i autorës dyzon realitete, ngjizë trupa, krijohen binom, trinom,..njeriu- bimë apo njeriu- kafshë. Vegjetarianizimi është vetëm çelësi për t’i dekoduar të gjitha marrëdhëniet brenda shoqërisë koreane në veçanti dhe ato njerëzore në përgjithësi.Kurse njolla mongoliane ç’është kjo?!(Një shenjë beninj që shfaqet biologjikisht në trupin e fëmijëve që lindin kryesisht në Azinë e largët në formë të gjethi me ngjyrë në të kaltër). Ndryshimi i një sjelljeje sjell një cunam ndjenjash, një tërmet familja. Mjafton të mos konsumohet mishi dhe të rrënohet kodi moral, struktura traficionale e sjelljes.
Dhe përkundër kësaj mbretëron vetmia depresioni, heshtja. Lëkura e r Jonhjes shndërrohet një panel vizatimesh!
Dhe pse?
-Pse nuk e hani mishin?
-pashë një ëndërr
– Cfarë patë…në ëndërr?
– Një fytyrë.
Pas dialogut me nëntekste të fuqishme, sillet gjykimi: ajo është plotësisht normale, nëse dikush është jonormal ai jam unë.Kështu fillon e tjerret një absurdi i hollë.
Në këtë proces arrihet kulmimi i ekspresoinizmit artistik, pikturohet mbi lëkurën e një gruaje dhe xhirohet, sikur krijohet një qenie e panjohur dhe në anën tjetër gërshetimi i ndenjave kapërcen tabunë morale i tërë procesi letrar merr trajtim psiko-shërues. Një tatuazhim jo vetëm i lëkurës, por i shpirtit, pse e jo i një kohe.
“Nuk e kam pa ëndrrën ma…lulet nuk i fshijë nga trupi..”, flet Jonhje vetmevete kurse lexuesi ka frikë të identifikohet me rrëfyesin i duket se po e shpërdoron personazhin posi autorja…ka frikë që po e trathëtojnë ndjenjat. Mbase këtu qëndron enigma e tensionit dramatik të Kangut.Seksi si qëllim i fshehur abuzues apo si kulmim i ndjenjave duket të jetë motiv i një inçesti famijar të maskuar pas lirisë artistike. Seksi si kompleksi i patejkalueshëm i njeriut shfaqet si nën motiv i një joshje pas njollës mongoliane. Mistifikimi i Shenjës mongoliane, joshja fatale, shenja si totem, e njohur edhe në kulturat tjera të popujve paraqitet si shenjë identifikuese. Ta kujtojmë këngën “mjedis ballit ma ke një pikë”, apo rinjohja mëpërmjet shenjës dalluese në baladat tona, pastaj pika tek femrat hinduse etj. Nuk e di a kanë mundur të qëndrojnë të pavarura pjesët e librit, kapitujt, por i dyti është tepër i veçantë, është vetë ” njolla mongoliane”
3. Përflakja e pemëve
Ky kapitull, i treti, na nxjerr faktin se nuk është Johnje i vetmi personazh përkundrazi fillon të shfaqet një matricë sociale e patologjive shoqërore me plot element. Një patologji që ndiqet në mes vijave të holla të pasioneve dhe të traumave të ndodhura në një rrethanë apo tjetrën njerëzore.
Pyetja “mami a kemi ne babi…”, sikur reflekton se vetëm fëmija është normal dhe ngritet mbi të gjitha raportet jonormale.
Por a jemi këtu në një seancë psikiatrike apo në një takim letrar. Pikërisht si Coelho si Nabakovi, si Moravia edhe Kang përqëndrohen në botën femërore për të nxjerr patologjitë e botës mashkullore .
Por të mos harrojmë edhe Kadare në romanin “E penguara” vrojtimin letrar e përqendron tek skuta e privimit nga jeta. Pasojat e privimit janë të rënda, po aq sa pasojat e këmbënguljes të kërkimit të lirisë, një ndjenjë kaq e provuar nga ne të gjithë… Edhe Linda , Linda B i bashkangjitet sishoqeve të saj po me atë fuqi të rrëfimit përtej asaj që shihet.Mungesa e lirisë e ka të njejtën dhembje pavarësisht nga forma e privimit, qoftë nga arkaizmi, autoritarizmi apo diktatura.
“Unë jam një pemë”…flet kryepersonazhi në një moment thyerjeje shpirtërore …një metamorfozë metafizike që autorja e përdor pothuaj gjatë gjithë librit. Pastaj kulmon me thirrjet;
“Motër…heshtje.-Motër…Të gjitha pemët në botë janë vëllëzërit dhe motrat tona”.
– “Mua nuk më duhet ushqim, mua më duhet ujë”,…një përpjekje e transforminmit e ndryshimit të kodit biologjik, më shumë
se një surealizëm i një qasje letrare, kisha me thënënjë qasje anti-antropologjike!
Përpjekje për ta shpëtuar nga vdekja bartë gurin e Sizifit, kujtimet e fëmijërisë na dalin si ftesë për të vazhduar jetën si kurim i saj.
“Pse nuk më lini të vdes”, shpërthen thirrja revoltuese ndaj skemave spitalore.
Pjesa e fundit mjaft e rënduar me atmosferë të reparteve spitalore, diçka ngjajshëm si tek shumë shfaqje teatrore., si psh. drama Psikozë n’ 4.48″, e autorës britanike Sarah Kane etj.
Ngadalë e motra Inhje shndërrohet në rol në vete dhe plotëson dyshen antipod me motrën gjakftohtë racionale, solidare, sakrifikuese por edhe dekoduese e traumës së trashëguar brenda familjes. Shuplakat e të atit e vetmjaftueshme çër identifikimin e dhunës familjare.
Rrëfimi letrar prekë elemente surealiste deri në një absurd latent; ndërtesat duken bisha, pemët të përmbysura kurse njerëzit duan t’i thyejnë çelitë spitalore dhe të dalin në pyllin flakërues.
Procesi i shuarjes së njeriut e nxjerr dhembjen njerëzore në pah.
Nuk dua ta përmbylli këtë fjalë timen me pyetjen a ia solli ky libër Nobelin autorës Kang, por e di që lexuesit ajo i sjellë shumë tundime sa letrare artistike, po aq njerëzore.
A e njohim njeriun, a mund të njihet ai, a mund të vdes si njeri njeriu , cila është vdekja njerëzore apo ajo është vetëm mizore apo duhet shndërruar në shpend , në pemë , duhet me ra në gjumë të thellë për ta lëshuar këtë botë…
I ardhtë deka e lehtë, apo i ardhtë deka e randë ka qenë shpesh thënie të njerëzve tanë në mes në lutjeje apo mallkimi për dikë! Jonhje, na e rikujtoj një vdekje mizore.
______________________________________
E lexuar në Gjilan ku u vlerësua romani i nobelistes së sivjeme për letërsi, VEGJETARIANIA, të shkrimtares jugkoreane, Han Kang, në kuadër të edicionit të 15-të të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, 2024