Sherafedin KADRIU – dhjetë libra në një vështrim të përbashkët
(Për nëntë vëllime poetike, botuar gjatë këtij viti nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” dhe një tjetër)
Sherafedin KADRIU – dhjetë libra në një vështrim të përbashkët.
Si hyrje…
Sot do të kem punë me dhjetë libra. Është hera e parë që po më ndodh. Por, për të qenë më i sigurt në shpërfaqjen estetike të ndonjë veçorie poetike, përgatita një shkrim, ani pse të shpejtë, duke besuar se përafron para jush artistiken e librave përkatës.
Shkruan: Sherafedin KADRIU, kritik
I
FRYMËSI AMSHMI
Një libër me poezi përkushtimesh për heroin e popullit, strategun e luftës çlirimtare, Agim Ramadanin. Poezitë janë të autorëve të ndryshëm të zgjedhura dhe të përgatitura nga Anton Nikë Berisha dhe Sabit Rrustemi. Profesor Antoni vjen me një parathënie serioze, vlerësimesh të poezive përkatëse.
Libri ka 41 poezi. Ka edhe autor që paraqitet me dy e tri poezi.
Kosova është e tëra aty: nis nga Deçani e përfundon në Kamenicë me një shtrirje perëndim-lindje. Dhe gjeografia e përkushtimit poetik nuk ndalet me kaq, ajo zgjerohet me poetë nga Lugina e Preshevës, kalon edhe në Maqedoninë Veriore dhe me një poezi përfaqësohet Shqipëria, por ikën më tutje në vendet perëndimore, atje ku jeton e vepron mërgata jonë, tashmë edhe mërgatë e dijes.
Poezitë me këtë tematikë, janë të vështira për t’u veshur mirë me poetikë, megjithatë pas një leximi serioz, mund të konstatoj se ka poezi të arrira estetikisht.
Poezitë “paraqesin figurën e Agimit në dy rrafshe, në atë konkret dhe në atë përfytyrues. Rrafshi i parë përcillet me shprehje pak a shumë kumtuese, ndërsa rrafshi i dytë cilësohet me një metaforikë shumëkuptimore”, – kështu gjykon hartuesi i parathënies.
II
PUHIZA MËNGJESORE
Libri i Sabit Rrustemit, “Puhiza mëngjesore” vjen me poezi të shpërblyera nëpër vite e dekada me çmime të para, të dyta, e të treta, por ka edhe poezi që janë vlerësuar për t’u marrë për shtyp, në konkurset përkatëse.
Strukturimi i librit paraqet një lloj ditari poetik, ndërtuar nga radhitja e poezive, sipas kohës kur është marrë çmimi. Gjithsesi që ka edhe një prerje tematike të lehtë që ndodh kushtëzuar nga situata politike në të cilën ndodhej Atdheu ynë. Janë tri periudha të krijimit, të afërta për shoqërinë njerëzore, por të largëta për njeriun.
Në periudhën e parë të krijimit, poeti nuk u mor drejtpërdrejt me aktualitetin me të cilin nuk qe i kënaqur. Ai veproi ndryshe. E injoroi atë realitet që për identitetin e poetit ishte mashtrues se ofrohej si gëzim i papërmbajtur gjoja për arritjet në fusha të ndryshme të shoqërisë së kohës.
Dhe, ky injorim ndodhi deri në një periudhë të caktuar, kur shpërtheu me tregimin “Nën maskën e mysafirëve”. I madh e i vogël e patëm kërkuar Fjalën e tij. Ama për të poeti u burgos.
Miqtë e mi, në vëllimin poetik “Puhiza mëngjesore” pa droje mund të them se vlera e frymëzimit poetik ka luajtur me përmbajtjen dhe vargun nëpërmjet refuzimit tematik; është fjala për një refuzim estetik, siç e konceptonte studiuesi Ibrahim Rugova këtë koncept teorik-letrar.
Ju njerëz të kulturës e të letërsisë sidomos, duke qenë edhe vetë krijues, pajtoheni që kjo poezi flet vetë, ama pa pasur nevojë as edhe për një fjalë timen.
Fotografia e nënës
Kjo fotografi
rastësisht është bërë
Nëna s’kishte kohë
të dilte në kopsht
t’i rregullonte flokët
Në çerep kishte bukën
mund t’i digjej
e vaj halli kur të ktheheshin
burrat prej mali
U ndal në prag të derës
Ashtu siç ishte
Rrezja e diellit e puthi në ballë
Në dy përndarjet tjera vizioni i poetit është dëshmuar në poezitë moderne me elemente të bollshme të traditës.
Është kjo ajo poetika e shtrirë në të gjitha veprat e Sabit Rrustemit që përligj vijimësi, dritësohet si cilësi e veçantë, si strukturë e materializuar, si kuptimësi ndryshe, si ndjenjë e shthurur ndonjëherë, si jetë filozofike, si veprim etik e si shpërfaqje estetike.
III
ENDE ËSHTË TERRINË
Për librin e radhës me titullin Ende është terrinë, të poetit strellcian Naim Fetaj, tashmë i ndjerë, kam publikuar një vlerësim me titullin “Poezia si ironi e ndjeshmërisë prekëse”.
Por, sot për ju kam përzgjedhur një tematikë cytëse të ironizuar në kohë dhe hapësirë: trajtimin poetik të moshës së gjeneratës së tij, ku bëj pjesë edhe unë.
Nuk mund ndryshe të shpërfaqja poetikën e tij të mrekullueshme, e kam fjalën për poetikën e poezive të poetit.
Prandaj, erdha para jush me një si dialog të shpejtë me poetin, ku flet vetëm njëri…
E mbërrimë vjeshtën e hershme miku im! – i them unë. Dhe natyrshëm që gjethet tona, në këtë periudhë fillojnë të zverdhen. Ndonjëra edhe mund thahet. Të bie për tokë.
Bie. E s’ke ç’i bën!
Nuk është kjo gjeneratë e paprekur, miku im, se s’ka gjenerata të paprekura!
Prandaj, vetëm kur të dëgjosh se iku një mik…Të dhemb, shumë të dhemb… Po, mirë që nuk dihet kush kë e sheh të fundit!
Më e zorshmja ndër më të zorshmet është dhembja kur sheh gjethen tënde që po thahet dita – ditës.
Unë pajtohem me ty pa asnjë kundërshti. Ndryshe është kur Vjen dita me rrudha e thinja moshe. Janë të lezetshme qe besa. Mosha jonë arsyeton rrudhat, sikur e thua edhe ti:
Në mbrëmje sheh rrudhat thinjat dhe pasqyrën
Po rrudhat nuk janë brazdat
Që ta marrin fytyrën
(Vjen dita)
***
Naimi e ka konceptuar kështu objektin poetik të poezisë së tij dhe unë jam i obliguar ta përcjell atë pasqyrimin poetik origjinal, qysh nga ajo ditë kur u takuam para vdekjes.
Dhe, jemi takuar në vargun e Naimit… para se t’i dorëzohej asaj fute të zezë…
Si u kap me të…, tamam si me armikun e jetës.
Vdis vdekje!, – i tha. Pa frikë. Se e kish tejkaluar Naimi frikën. Qe si duket ironia më therëse ndaj vdekjes e ndaj vetes, ndaj etnikumit të tij dhe ndaj vetë jetës:
Vdis vdekje të mos përlotet jeta
Fundin e saj ta shohim një herë
……………………………………………
Vdis vdekje se askush s’të do ty
S’do lëmë gjë pa bërë …kur s’kemi frikë nga ti
Kjo është poezia që ka për tematikë pleqërinë e gjeneratës dhe mbarimin e saj, – vdekjen, e cila trajtohet jo si proces individual, por si fenomen sa abstrakt aq real.
I bindur se keni çfarë të lexoni, vetëm po ju njoftoj se tematika e dhembjes dhe e dashurisë për familjarët e tij të dashur, për miq e shokë e për heronjtë e Kosovës që kanë ikur në amshim, si dhe për ngjarje të ndryshme historike dhe të përditshmërisë, vlon nga ironia në vargun romantik të Naim Fetajt.
IV
MUZEU I HIJEVE
Në radhë kam vëllimin poetik “Muzeu i hijeve” të poetit të Luginës, Arsim Halilit. Vëllimi përbëhet prej tre cikleve: Pamje të grisura, Hapërimi i kodit të vdekjes dhe Rrugët bartin pluhurin e gërshetit tënd. Të tria këto cikle formësojnë një unitet të arrirë, patjetër me ndonjë karakteristikë tematike a nënkuptimore, gjersa synohet modernia duke mos e melodizuar tej mase lirikën.
Poezitë nuk janë të dala nga ndonjë proces ngutjeje, por të tilla që janë marrë shpeshherë nëpër duar, dhe tek më pas ato i janë afruar publikut lexues me një element të theksuar intelektual.
Fjalori del të jetë shumë kërkues në paraqitjet poetike nëpërmjet mitologjisë antike përgjithësisht, me të drejtën historike bëhet fjalë për mitet dhe legjendat pellazge.
Një përbërje e tillë gjuhësore e strukturuar në varg, synon konsolidimin modern të kësaj përmbledhje në tërësi.
Një poezi, e cila shpërfaq sistemin e të shprehurit poetik të autorit, si dhe unitetin domethënës e komunikimin simbolik me marrësin është poezia “Gërshet i shprishur”:
Adresa për Naisus
Çmend engjëjt me krahë të cunguar
Mëngjesi pa diell
Pak kohë dhembje të shton
Stina kërkon të thithë gjirin tënd
Hapi sytë të shohësh
Cilët meteorë godasin masën e tërbuar
V
VALLJA E RINGJALLJES
Përmbledhja poetike “Vallja e ringjalljes” e Nazmije Hasanit, është botuar nga shtëpia botuese “Printing press, por meqenëse unë kam qenë redaktor i librit, m’u duk e arsyeshme që ta paraqes vetë para jush, edhe ashtu e njoh mirë materialin poetik.
Poezitë vijnë me tematikë të ndryshme e semantikë të strukturuar me një rrëfim paksa lirik. Ndjesia e derdhur në varg shkrihet në tërësinë e fjalorit të pasur e komunikues me lexuesin e vet.
Vargëzimi tërësor i kësaj përmbledhjeje poetike di të përshkruajë situata e personazhe historike e më shpesh familjare. Një përsëritje është e pranuar, jo për të mësuar, po për të kujtuar, për të kujtuar mënyrën e ndërtimit edhe të ngrehinës poetike.
Për kureshtjen tuaj po e sjell vargun e poezisë “Kafja e mëngjesit”ku shihet qartë shkrirja e imagjinatës poetike.
Sa t’mira i bëje!
I piqje me prushin e dashurisë
Kishin marrë shijen e fjalës tënde
Shijen e tim eti…
Babë,
Kafe pi edhe sot.
Po, asnjë shijen e kafes tënde,
Nuk e ka dot.
“Kafja e mëngjesit”
VI
NGROHTËSI ATDHEU
Përmbledhja poetike “Ngrohtësi atdheu” vjen nga Isuf Bajraktari, me vendqëndrim në Lundskrona të Suedisë. Siç e thotë vetë autori në Shënimin hyrës, kjo përmbledhje përfshin poezitë e shkruara në vitet e fundit, të cilat lidhen me jetën e tij prej emigranti dhe me mallin e dhembjen që ndjen për atdheun e tij. Të ngjizura në poezi, malli e dhembja frymojnë me poetikën e mërgimit, e cila ndodhet në mes të rrjedhës konkrete dhe kujtesës. Autori ka botuar edhe tri vepra tjera me poezi. Të parën e boton para njëzet vitesh, qysh në vitin 2002.
Për ju zgjodha poezinë “Katundi im”
Kudo që jam
të kam me vete
si frymëmarrjen
si lotët
melodi e pashuar e zemrës
VII
PSHERËTIMË VARGJESH
Libri i Hasan Muzli Selimit, një poet nga Shqipëria, sapo ka dalë nga shtypi. Një libër me poezi që vjen i redaktuar nga profesor Anton Nikë Berisha. Personalisht nuk e njoh autorin, në kuptimin metonimik e thash. Pra s’e kam takuar poezinë e tij më parë, ndërsa libri dalë në dritë është një përmbledhje poezish të përzgjedhura nga tetë libra të këtij poeti.
Përzgjedhjen dhe radhitjen e ka bërë profesor Antoni, dhe po e them një të vërtetë të sprovuar, tashmë të dëshmuar.
Dhe, merreni si besim, jo si paragjykim, aty ku hedh firmën profesor Antoni nuk mund të flitet për vepër dosido. Sido qoftë, nuk është se erdha para jush pa e shfletuar vetë librin, bile për t’u miqësuar me parathënien dhe aty – këtu edhe me ndonjë poezi.
E them me plot gojë se ky libër lexohet dhe ofron kënaqësi estetike.
VIII
KRESHNIKËT E BOKSH BARUTIT
Vëllimin poetik të radhës, “Kreshnikët e Boksh Barutit”, alias Arif Molliqit, e kam lekturuar dhe mund t’i them disa fjalë në trajtë vlerësimi, si ngutshëm. Poetika e këtij autori, në këtë vëllim, vjen e ndikuar nga vepra e Fishtës, ajo ironia therëse me atë gjuhën e thekshme si vetë malësorët e prekur në ujdi.
Poezitë kanë për temë aktualitetin tonë, ndërsa autori i pakënaqur me të, pra me aktualitetin, ironizon, më ndryshe thënë tall përfaqësuesit politikë të popullit tonë në tërë gjeografinë e tij me shprehjet që në sipërfaqe janë lavdëruese. Në këtë vepër, ironia është frymë e përgjithshme e saj.
Për ndonjë personazh aktual, autori nuk ka kursyer lavdet deri në sarkazëm, për ndonjë tjetër duet se nuk gjen fjalë “miradije” se e ka më për qejfi. Ndoshta, sipas poetit kreshnikët e majtë janë më pak atdhetarë se të djathtët, për të mos thënë më shumë tradhtarë.
Një poetikë e veshur me alegori që tejkalon ironinë e zakonshme dhe shkon e shigjeton skajshmërisht, ndonjëherë edhe nën brez.
Nuk është lehtë të jesh kreshnik i kohës së re!
IX
Janë dy autorë që vijnë me veprat e para. Një dëshmi kjo se Klubi ynë u krijon hapësirë autorëve të rinj që të vijnë para lexuesve me librat e tyre të parë, duke i shpërfillur kërkesat e tregut që të jenë shkrimtar me nam dhe libra që garantojnë domosdo shitjen. Ka shkrimtarë që sot kanë emër, dikur ishin të rinj dhe mezi prisnin t’i gëzoheshin librit të parë, dhe ka të tillë që përmes nesh kanë botuar librat e parë, si një përkrahje e mbështetje në hapërimet e para poetike.
IX 1.
DHEMBJA MBAN EMRIN TËND
Është përmbledhje poetike e Hevzi Mustafës, e cila përbëhet nga shtatë cikle: Etno, Le të pres dashuria, Ekskluzivisht në Kullë, Nën palmë kokosi, Glemte fragmenter, Orkidea ime dhe Vetmia më gdhend.
Temat janë të ndryshme, sikundër mund të thuhet për motivet. Aty është motivi i atdhedashurisë, i erotikës, i traditës e i evropianizimit. Është nga ata libra që e pasuron letërsinë shqipe, jo vetëm si numër, po si vlerë estetike.
Ani pse me libër të parë, autori vjen si poet mjaft serioz, me një dell artistik e varg poetik. Për ekspozimin e kësaj karakteristike që nuk do duhej parë si të përgjithshme, pse të gjitha veprat kanë atë sui generizmin e tyre personal, po sjell disa vargje të poezisë “Dhembja mban emrin tënd”, që njëkohësisht është dhe titulli i veprës:
Mos më kujto – si nuk kujtohen të humburit
Mos më duaj – si nuk duhen armiqtë
Mos më fol – si nuk flasin të varurit
Mos më prit – si nuk priten të pakthyeshmit
……………………………………
Si pleh i lagur po kalbem
Nga dhembja për emrin tënd.
IX. 2
DUKE PRITUR HELENEN
Libri i dytë vjen me titullin “Duke pritur Helenen” nga një autor ferizajas, Faton Mehmeti. Libri është i ndarë në katër cikle: Si të mësohem pa ty, Harresa që nuk ikën më, Për t’i dhënë dritë atdheut dhe Kalimtarë bote.
Libri u kushtohet tre njerëzve të dashur të tij , bijës së tij, nënës dhe gruas.
Nëna zë tërë ciklin e parë, gruaja të dytin, ndërsa ciklin e tretë e përshkon dashuria ndaj atdheut. Kur je plotësuar me tri dashuri, atëherë e kupton se në këtë botë je vetëm një kalimtar. Të katër cikleve u prin poezia Bora, të cilën poeti ia kushton së bijës.
BORA
Siç e ke emrin
Edhe shpirtin
Më je bardhësi
Edhe kur errësira
Më sfidon
Tek ti jam unë
Tek unë je ti
Ime bijë, Bora
Ju faleminderit!
( E lexuar më 7 tetor 2023, në hapjen solemnte të edicionit të 14 të “Vjeshtës letrare të Gjilanit ” )