
Protestë në Viti pas vdekjes së të riut nga aksidenti me veturë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vitisë, pas aksidentit që ndodhi më 8 shtator, kur një veturë përfundoi mbi disa të rinj që po qëndronin në parkun “Bafti Haxhiu”.

Sipas hetimeve, 21-vjeçari që drejtonte veturën kishte humbur kontrollin, duke goditur fillimisht disa karrige e më pas pesë persona të rinj.
Katër prej tyre mbetën jashtë rrezikut për jetë, ndërsa Auron Ferizi, i cili pësoi lëndime të rënda, u dërgua për trajtim në QKUK.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 21-vjeçari Auron Ferizi nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar edhe babai i tij, duke ndarë publikisht dhimbjen për humbjen e djalit.
Pas tragjedisë, sheshi i qytetit të Vitisë u mbush me qytetarë që protestuan për vdekjen e të riut, duke kërkuar drejtësi dhe masa më të rrepta ndaj shoferëve të pakujdesshëm.
Në mesin e protestuesve ishin edhe katër të rinjtë që mbetën të lënduar nga ky aksident.

