Prof. Hajrush Fazliu nderohet me Medaljen Presidenciale për kontribut të jashtëzakonshëm në artin e pikturës
Prof. Hajrush Fazliu, një prej figurave më të spikatura të artit të pikturës në Kosovë, ka marrë Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si njohje për kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e artit dhe kulturës kombëtare.
Në një mesazh falënderues, Prof. Fazliu shprehu mirënjohjen e tij për këtë vlerësim të lartë shtetëror, duke e cilësuar si një motivim të vazhdueshëm për të avancuar angazhimin e tij krijues dhe pedagogjik.

Ai theksoi se ky nderim dëshmon përkushtimin e shtetit për promovimin dhe mbështetjen e artit dhe kulturës si vlera themelore të identitetit kombëtar.
“Ky nderim i lartë përbën për mua një përgjegjësi të shtuar dhe një motivim të vazhdueshëm për të thelluar angazhimin tim në zhvillimin dhe afirmimin e kulturës së Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare,” shkruan Prof. Fazliu.

Medalja Presidenciale e Meritave është një nga njohjet më të larta shtetërore që vlerëson individët për arritje të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme, dhe nderimi i Prof. Fazliut tregon rëndësinë e artit në jetën kulturore dhe identitare të Kosovës.
