Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit nesër në orën 12:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, ka thirrur seancën konstituive më 11.02.2026, në orën 12:00.
Presidenca ka bërë të ditur se “duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11.02.2026, në orën 12:00.
Në zgjedhjet e mbajtura më 28.12.2025, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) si partia e parë me më së shumti vota do të ketë 57 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.
Nga 120 deputetët që përbëjnë Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara me Kushtetutë për komunitetet joshumicë që jetojnë në vend. Nga këto 20, dhjetë janë të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb. Pos atyre nga komuniteti serb të shënuara më lartë, dy ulëse do të zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës.
Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues sa janë në listën e votuesve. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.
