Presidenti i Al Nassr: Cristiano Ronaldo kërkoi të trajtohej njësoj si bashkëlojtarët e tij
Arabia Saudite mirëpriti një nga emrat më të mëdhenj të futbollit në vitin 2023, pasi Cristiano Ronaldo ra dakord për një transferim te Al Nassr për të nënshkruar një marrëveshje të madhe në vlerë prej 200 milionë euro.
Presidenti i klubit saudit Al Nassr, Musalli Al Muammar, ka thënë gjatë prezantimit të Cristiano Ronaldos se ylli portugez kërkoi të trajtohej si pjesa tjetër e bashkëlojtarëve të tij.
“Ronaldo kërkoi gjatë negociatave që të trajtohej si pjesa tjetër e bashkëlojtarëve të tij, për sa i përket shpërblimeve dhe rregulloreve të klubit”, ka thënë ai në stadiumin Mrsool Park në Riad.
Ai gjithashtu ka komentuar se është “shumë normale” që paga e tij të jetë “më e larta”, pa dhënë shifra, ndonëse zbuloi se “marrëveshja është komercialisht e dobishme në aspektin e përfitimit dhe shumë gjëra do të dihen në ditët në vijim”.
Përtej futbollit
“Marrëveshja me Ronaldon nuk kufizohet vetëm në futboll, pasi ai do të mbështesë Akademinë e Klubit Al Nassr që ne planifikojmë të bëjmë, përveç prezantimit të historisë së klubit dhe mbështetjes së famës së tij mes tifozëve të futbollit”, ka thënë ai.
Lëvizja e Cristiano te Al Nassr u zyrtarizua më 30 dhjetor , duke i mbyllur një muaj thashethemesh që e lidhnin atë me klubin saudit pasi ai ndërpreu marrëdhëniet me Manchester United dhe u bë lojtar i lirë për ta nënshkruar, megjithëse vlera e kontratës së tij nuk është zbuluar akoma zyrtarisht.
“Tani mund të them që u shfaqën shumë mundësi në Evropë, shumë klube në Brazil, në Australi, ShBA dhe madje edhe në Portugali, por unë i dhashë fjalën këtij klubi”, ka thënë Ronaldo në konferencën e tij për shtyp .
“Kontrata ime është unike sepse unë jam një lojtar unik”, është shprehur tutje ai.
Pritje historike për Cristiano
Me tabelat “Hala Ronaldo” dhe flamujt e Portugalisë, shumë tifozë e kanë pritur lojtarin në stadiumin e klubit , i cili ishte mbushur me efekte ndriçimi dhe muzikë për ta përshëndetur.
Cristiano, i cili mbërriti në Riad të hënën mbrëma me familjen e tij, njoftoi se tashmë i ka kaluar testet mjekësore para se t’i bashkohet klubit.
Po ashtu, ai mori një brohoritje shtesë nga fansat e tij të rinj për të folur në gjuhën e tyre.
Fansat mund të kishin pritur thirrjen e tij të famshme ‘siiiuuu’, por ajo nuk u dëgjua. Megjithatë, ai kishte fjalë falënderimi për pritjen e ngrohtë që ka marrë në Arabinë Saudite.
“Ana alamy” ishte thirrja e tij në gjuhën arabe, që do të thotë “Unë jam global”, që është një referencë për pseudonimin e klubit.
Ceremonia e prezantimit të Ronaldos në stadiumin e Al-Nassr ishte spektakolare, me një turmë të madhe që brohoriste me zë të lartë dhe brohoriste emrin e tij pas një shfaqjeje dritash dhe mjetesh piroteknike. Imazhet nga ngjarja dukeshin më shumë si një festë trofeu sesa një prezantim i lojtarit.
Në vitin 2009 ai ishte në gjendje të mblidhte 80 mijë tifozë në Estadio Santiago Bernabeu. Më 3 janar 2023, ishin 30 mijë, por mund të ishin 300 mijë tifozë që kanë qenë në krah të Ronaldos në stadiumin Mrsool Park si lojtari i ri i Al Nass.
Ai tashmë është në Arabinë Saudite si lojtari më i ri për të qenë fytyra e futbollit dhe e vendit.
“Puna ime në Evropë ka përfunduar , jam krenar për një sfidë të re”, kishte deklaruar ai në konferencë.
Ronaldo kishte thënë se dëshiron të thyej të gjitha rekordet në Arabi. “Kam ardhur këtu për të luajtur dhe për të fituar tituj. Më pëlqen kultura arabe dhe kam ardhur këtu për ta çuar atë në të gjithë botën”.
Ai e përshkroi veten si një “lojtar unik” dhe këmbënguli se karriera e tij nuk ka përfunduar me mbërritjen në klubin Al Nassr.
Një gjë është e sigurt se do të jetë e paharrueshme mirëpritja e tij si një hero dhe se u soll në Arabinë Saudite për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të vendit dhe ligës së futbollit.