Premtohet qasje e barabartë në shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu, në ditën e parë të punës, ka prit në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjrae Basri Kamberin.
“Gjatë këtij takimi u zotuam për një bashkëpunim të ngushtë dhe të vazhdueshëm, me qëllim avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë”, tha Kadriu.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, tregoi se diskutuan për sfidat aktuale, nevojat prioritare dhe mundësitë konkrete për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor.
“Theks i veçantë iu kushtua rritjes së efikasitetit, transparencës dhe qasjes së barabartë në shërbime për të gjithë qytetarët”, tha Mimoza Kadriu.
Më tej ajo theksoi se e siguroi drejtorin se do të angazhohet maksimalisht për të shtyrë përpara politikat shëndetësore, për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të krijuar kushte sa më të mira pune për profesionistët shëndetësorë, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime cilësore, humane dhe në kohë.
Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së drejtorit të qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjrae Basri Kamberi, falënderoi drejtoreshën Mimoza Kadriun për bisedën konstruktive dhe angazhimin e shprehur.
“Besoj fuqishëm se përmes bashkëpunimit të ndërsjellë do të arrijmë të rrisim cilësinë, efikasitetin dhe qasjen e barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët e Gjilanit”, tha Basri Kamberi.
