Përditësimi i fundit nga KQZ për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orët e hershme të mëngjesit të sotëm janë numëruar 99,26 për qind e votave nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ, kanë mbetur për t’u numëruar edhe 19 kuti votimi.
Në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 49,30 për qind të votave, apo gjithsej 429 mijë e 979 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,01 për qind, përkatësisht 183 mijë e 258 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,59 për qind, apo 118 mijë e 490 vota.
Pas tyre pasojnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,68 për qind të votave dhe Lista Serbe me 3,74 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas përditësimit të fundit në KQZ është 44.99 përqind e qytetarëve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor u zhvillua në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Në garë për të zënë një vend në Kuvendin e Kosovës ishin gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike që garuan në këto zgjedhje.
