Parashqevi Simaku rikthehet sonte në Festivalin e Këngës
Në natën e tretë të Fest 63, që është edhe “Nata e Nostalgjisë”, do të jetë e pranishme në skenën e Festivalit edhe këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku nëpërmjet një lidhjeje nga SHBA-ja, raporton “RTSH”.
Simaku është një nga personalitetet e muzikës shqiptare, e cila ka gdhendur emrin e saj jo vetëm në muzikën e lehtë dhe atë qytetare shqiptare, por edhe në skenën e Festivalit të Muzikës, që organizohet prej 63 vitesh nga Radio dhe Televizioni Shqiptar.
Parashqevi Simaku ka fituar 2 çmime të para në Festivalet e Muzikës: Në 1985 me këngën “Në moshën e rinisë”, kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës, si dhe në vitin 1988 me këngën “E duam lumturinë”, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit.
Parashqevi Simaku lindi në vitin 1966 në qytetin e Kavajës dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që në moshë të vogël, ajo u spikat nga kompozitorët më të njohur të momentit në atë kohë në Shqipëri.
Parashqevia këndoi në shumë festivale dhe Koncerte të Pranverës. Pas vitit 1991 ajo u largua drejt SHBA-së, ku edhe ka krijuar jetën e saj.
Me poezinë “Mall” të ikonës së letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë, u bë hapja e Natës së Nostalgjisë në Festivalin e Këngës, duke emocionuar publikun. Aktori Viktor Zhusti e interpretoi atë me një ndjenjë të thellë, duke i dhënë jetë vargjeve të poetit, ndërsa notat e pianos të këngëtarit Redon Makashi shtuan magjinë e momentit. Ky interpretim riktheu nostalgjinë e një prej vepra më emblematike të letërsisë shqipe.
Në Fest 63, aktori i njohur i teatrit dhe kinemasë, Viktor Zhusti, ka treguar një episod se si arriti t’i shpëtojë ‘çarkut’ të Festivalit të 11, i cili hapi dhe siparin e një serie ndëshkimesh politike nga regjimi komunist ndaj artistëve në skenë dhe në teatër.
“Kam prezantuar Festivalin e 57-të të Këngës, i cili ishte plot atmosferë. Në vitin 1971 kam prezantuar edhe Festivalin e 10. Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Doja të prezantoja edhe Festivalin e 11-së. Për pak i shpëtova ‘çarkut’. Kisha sugjerim nga pedagogu im Mihallaq Luarasi për Fest 10, por për Fest 11 më tha jo sepse kërkohej një prezantues më modern. Pas atij festivali pati ditë të errëta për artin”, tregoi Zhusti në skenën e Fest 63.
Kjo natë nuk është vetëm një koncert, por një udhëtim nëpër kujtime dhe histori. Do të nderohen poetët dhe tekstshkruesit që krijuan këngët që i kënduan “shpirtit shqiptar” për dekada të tëra: Jorgo Papingji, Agim Doci, Ismail Kadare, dhe shumë të tjerë, poezive të të cilëve u dha jetë përmes muzikës.
Simaku nëpërmjet videolidhjes në Festivalin e Këngës: Do të doja të isha aty
1 o. më parë / 21 dhj 2024 23:38
Në natën e tretë të Fest 63, në ‘Natën e Nostalgjisë’, është krijuar një emocion i veçantë, kur Festivali i Këngës është përshëndetur nga Parashqevi Simaku, e cila për vite me radhë ka shkruar historinë e këtij eventi mbarëkombëtar, duke fituar edhe dy çmime të para.
Vajza që bëri shumë artistë të ëndërronin për magjinë e skenës së Festivalit të Këngës ndër vite, ka përshëndetur nga Nju-Jorku, duke shprehur dëshirën e saj për të qenë edhe ajo në këtë skenë, ashtu si dekada më parë. Ajo u dërgoi “puthje” 30 konkurruesve në garë.
“Përshëndes Festivalin e 63-të të Këngës në Radio Televizion. Do të doja të isha aty. Herën e fundit që kam qenë aty këndova një këngë të bukur në vitin 1999, që quhet “Dëgjoma këngën”. Një puthje për të gjithë ju, konkurrentët e Festivalit të 63-të”, tha Simaku.
Ka qenë biznesmeni Elton Ilirjani, i cili e ka shoqëruar divën e muzikës shqiptare, siç e vlerësoi ai Parashqevi Simakun.
Simaku është një nga personalitetet e muzikës shqiptare, e cila ka gdhendur emrin e saj jo vetëm në muzikën e lehtë dhe atë qytetare shqiptare, por edhe në skenën e Festivalit të Muzikës, që organizohet prej 63 vitesh nga Radio dhe Televizioni Shqiptar.
Parashqevi Simaku ka fituar dy çmime të para në Festivalet e Muzikës: Në 1985 me këngën “Në moshën e rinisë”, kompozuar nga Vladimir Kotani me tekst të Arben Dukës, si dhe në vitin 1988 me këngën “E duam lumturinë”, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit.
Parashqevi Simaku lindi në vitin 1966 në qytetin e Kavajës dhe më pas u shpërngul në Durrës. Që në moshë të vogël, ajo u spikat nga kompozitorët më të njohur të momentit në atë kohë në Shqipëri.
Parashqevia këndoi në shumë festivale dhe Koncerte të Pranverës. Pas vitit 1991 ajo u largua drejt SHBA-së, ku edhe ka krijuar jetën e saj. /RTSH