Nxënësja nga Kamenica fiton çmimin e parë në festivalin ndërkombëtar të muzikës klasike
Melikë Hoda, nxënëse e Shkollës së Muzikës në Kamenicë, u vlerësua me çmimin absolut në Festivalin Ndërkombëtar “Thes-Ari”, duke marrë maksimumin e pikëve nga juria.
Një sukses i jashtëzakonshëm ka ardhur nga Shkolla e Muzikës në Kamenicë, ku nxënësja Melikë Hoda ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar “Thes-Ari” të muzikës klasike.

Melika, e cila vijon mësimet në klasën e flautit, është nxënëse e flautistes së njohur kamenicase dhe njëherësh mësimdhënëse në Shkollën e Muzikës në Kamenicë, Hysnije Latifaj.
Arritja e saj bëhet edhe më e veçantë për faktin se juria e festivalit e ka vlerësuar me çmim absolut, duke i ndarë gjithsej 100 pikë, vlerësimi më i lartë i mundshëm në këtë garë ndërkombëtare.

Ky rezultat dëshmon talentin, përkushtimin dhe punën e vazhdueshme të Melikë Hodës, si dhe cilësinë e punës pedagogjike në Shkollën e Muzikës në Kamenicë.
Suksesi i saj përbën krenari jo vetëm për shkollën dhe mësimdhënësen e saj, por edhe për gjithë Kamenicën, duke dëshmuar se talentet e reja artistike vazhdojnë të shkëlqejnë në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.
