Nxënësit e “Sahit Baftiu” në tryezën “Siguria në shkolla” në Gjilan
GJILAN – Nxënësit e Shkollës së Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu” në Gjilan, të shoqëruar nga profesori Naser Sylejmani dhe psikologia e shkollës Fitore Jakupi, morën pjesë në tryezën e diskutimit “Siguria në shkolla”.
Tryeza u organizua nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me OSBE-në.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, psikologë të shkollave të mesme të larta, drejtorë shkollash, përfaqësues të këshillave të prindërve dhe akterë të tjerë të komunitetit arsimor.

Diskutimi u përqendrua në parandalimin e dukurive negative në shkolla, identifikimin dhe raportimin me kohë të rasteve të dhunës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve përgjegjëse.

Sipas organizatorëve, pjesëmarrja në aktivitete të tilla kontribuon në vetëdijesimin e nxënësve dhe në krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt, ku secili nxënës ndihet i respektuar, i mbrojtur dhe i mbështetur.
