Nisin ligat universitare në Kosovë, qindra studentë në gjashtë disiplina
Kanë nisur sot ligat universitare të organizuara nga Federata e Sportit Universitar e Kosovës, duke mbledhur qindra studentë nga universitete dhe kolegje vendore.
Hapjen zyrtare të garave e ka bërë sekretari i përgjithshëm i FSUNK-së, Fidan Hamiti, i cili ka theksuar rëndësinë e sportit universitar si një platformë bashkimi dhe zhvillimi për të rinjtë.
Studentët do të garojnë për titullin e kampionit universitar në gjashtë disiplina sportive: volejboll në rërë, shah, ping-pong, basketboll 3×3, futsal dhe padel.
Sipas Hamitit, këto liga tashmë janë shndërruar në një simbol të bashkimit përmes sportit, ku ndërtohen miqësi dhe kultivohen vlera të shëndosha.
“Sporti universitar është një platformë ku ndërtohen ura miqësie dhe përgatiten liderët e së ardhmes”, është shprehur ai, duke u uruar suksese studentëve pjesëmarrës dhe duke falënderuar organizatorët, sponsorët dhe institucionet mbështetëse.
Në emër të Ministria e Rinisë dhe Sportit, të pranishmëve u është drejtuar këshilltarja Donika Zogu, e cila ka theksuar se sporti universitar mbetet prioritet i politikave shtetërore dhe ka përgëzuar FSUNK-në për organizimin e këtij aktiviteti.
