Në “Flakën e Janarit 2025” u mbajt tryezë shkencore “ Masakra e Gjilanit (1944 – 1945)”
Në kuadër të “Flakës së Janarit 2025”, organizuar nga historianët e Gjilanit, në sallën e konferencave të Vali Ranch është mbajtur tryeze shkencore me titull “ Masakra e Gjilanit (1944 – 1945) nëpërmjet të të cilës është shënuar 80-vjetori i Masakrës së Gjilanit.
Kjo konferencë ka mëtuar të bëjë ndriçimin e mëtejshëm të Masakrës së Gjilanit, e cila ndodhi në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Pos historianëve të shumtë nga Gjilani e Kosova dhe publikut që me kërshëri ka përcjellë referimet, të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe Alban Hyseni, kryetar i komunës dhe Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini e Sport.
Fillimisht, Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit ka theksuar se në këtë vit përkujtojmë një ngjarje që sa është e rëndë për nga pesha, por është edhe ngjarje e rëndësishme, ajo njëkohësisht është edhe një thirrje për ndërgjegjen tonë, që t’a përkujtojmë këtë ngjarje e të mos lejojmë që të na përsëritet në të ardhmen.
Hyseni ka thënë se Lufta e Dytë Botërore për një pjesë të botës ishte luftë për çlirim e liri, kurse për Gjilanin dhe qytetarët e saj nuk ndodhi një gjë e tillë, ngase ata pësuan vrasje e dhunë masive me mbi tetë mijë të vrarë.
Hyseni tha se tashti në Gjilan është duke vazhduar “Flaka e Janarit”, e cila brenda vetës përfshinë figura e personalitete që luftuan për çlirimin e Kosovës, ngjarje të historisë sonë e brenda këtij muaji po e kujtojmë edhe masakrën e Gjilanit.
“Në këtë tryezë, pos që e kujtomë Masakrën e Gjilanit kujtojmë edhe shumë figura të historisë kombëtare, por veçanërisht në “Flakën e Janarit”, kujtojmë dy figura të kombit tonë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, që ishin nisma e rezistencës së armatosur në luftën çlirimtare, ata ishin prijës dhe udhëheqës të ilegales, por më vonë u bënë edhe gurthemel i ushtrisë tonë çlirimtare e bashkë me ta edhe Kadri Zeka”, tha Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit, që tha se ajo çka ndodhi në Masakrën e Gjilanit, konsiderohen krime dhe ato nuk tjetërsohen e as nuk humben, ato mund të gjykohen e të dënohen, andaj kjo konference le të jetë një lloj përkujtimi e thirrje për mendjet tona që martirët, dëshmorët e kombit të mos harrohen kurrë, ka thënë Alban Hyseni, i cili ka dalë me propozimin që në Gjilan të vendoset një pllakë përkujtimore dhe këtë ta bëjmë që këtë janar, sikurse që gjithashtu në Muzeun e Gjilanit të krijohet një dhomë e veçantë, ku do të dëshmohej e dokumentohej faktikisht Masakra e Gjilanit.
Organizatorët kanë patur për qellim që nëpërmjet argumentimit shkencor të nxjerr në pah qëllimin e kësaj masakre, cilat ishin arsyet që forcat serbo-jugosllave kryen masakrën ndaj popullsisë së qytetit dhe rrethinës, shkaqet që quan në kryerjen e kësaj masakre dhe pasojat për popullsinë, pastaj kategorizimi i kësaj masakre në kuadër të akteve ndërkombëtare për cilësimin e krimeve dhe dëshmi të tjera. Organizatorët kanë mëtuar që përmes kësaj tryeze të kompletojnë një pasqyrë reale për Masakrën e Gjilanit në kuadër të Luftës së Dytë Botërore.
Në hyrje është thënë se në fund të Luftës së Dytë Botërore, gjatë viteve 1944-1945 forcat serbo-maqedonase, të cilët pushtuan tokat shqiptare, pa vonuar shumë serbët shpallën shqiptarët si tradhtarë të luftës dhe si kolaboracionist të Boshtit, i cili përbëhej nga Gjermania Naziste, Italia Fashiste dhe Bullgaria, të cilat njëkohësisht mbanin nën pushtim trevat shqiptare. Në emër të vazhdimit të luftës antibosht, që nga shtatori i vitit 1944 për muaj me radhë forcat serbe kryenin vrasje e persekutime të vazhdueshme ndaj civilëve shqiptarë, të cilët nuk ishin edhe shumë të përfshirë në këtë ndarje dhe në këtë luftë Botërore.
Kjo ngjarje detyroi që forcat nacionaliste shqiptare të mobilizohen, e të bëjnë përpjekje dhe të organizuara e të përkrahura edhe nga vullnetarë shqiptarë, të arrijnë qëllimin për të shpëtuar popullsinë shqiptare të Gjilanit nga krimet e njësiteve serbo-maqedonase, e cila njihet edhe si Lufta e Gjilanit dhjetorit të vitit 1944, ku pas tërheqjes së forcave të Boshtit, filloi konsolidimi i pushtetit komunist jugosllav, të cilët filluan vrasjet dhe përndjekjet në masë.
Dhuna dhe masakrat ndaj popullatës shqiptare të Gjilanit dhe rrethinës nisi të shpeshtohej nga gjysma e dytë e vitit 1944 dhe duke vazhduar edhe në fillim të vitit 1945. Edhe pse shumë vështirë të argumentohet, sepse pushteti serb u kujdes që mos të lë as gjurmë të shkruara, dokumente arkivore, apo dorëshkrime, por shumë dëshmitarë dhe historianë në memoaret e tyre, por edhe në shkrimet e tyre argumentojnë se vetëm për një kohë të shkurtër janë vrarë dhe masakruar rreth 7000 shqiptarë, ku në mesin e tyre kishte edhe intelektualë të shquar të kësaj ane, siç ishin kryetari i Bashkisë së Gjilanit Mustafa Natiku, i cili ishte nga Shqipëria dhe u vra më 17 nëntor 1944, sekretari Isak Brestovci, pastaj korrespodenti i disa gazetave të huaja Sylejman Ashkiu, avokati dhe udhëheqësi i NDSH, Esat Berisha, i cili ishte edhe anëtarë i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe ashtu u veprua edhe me shumë intelektual të Anamoravës si: Mulla Ymer Berisha (Llashticë), Mehmet Behluli (Malishevë), Faik Akllapi, i djegur në furrën e druve etj.
Pas kësaj ngjarje fillloi vetorganizimi i forcave vullnetare në krye me Idriz Hajrullahun, Muharrem Fejzën, Sylë Zarbicën e shumë luftëtarë të tjerë. Luftimet që zhvilluan Forcat Vullnetare korren fitore në fshatrat Desivojcë, Qarr e Vriçec, ndërsa partizanët e shpartalluar një pjesë e tyre u tërhoqën në Gjilan, ndërsa pjesa tjetër e tyre edhe në Bujanoc.
Pas kësaj fitore forcat vullnetare shqiptare kishin informacion për masakra të tmerrshme në Anamoravë, ku së keqes iu kishin bashkangjitur shërbimi sekret dhe qytetarët paramilitarë serbë e malazezë, në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944 forcat shqiptare arritën që të çlirojnë pjesën dërmuese të qytetit të Gjilanit dhe njësitet serbe u larguan në periferi të qytetit për të pritur ndihmë nga Ferizaj e Prishtina. Forcat vullnetare edhe pse e çliruan qytetin, për shkak për të kursyer popullsinë civile, por edhe ishin të bindur se nuk do të mund ta mbajnë Gjilanin, u tërhoqën nga qyteti, sepse forcave serbe u erdhën në ndihmë trupa të shumta nga pjesët e tjera të Kosovës.
Pas kësaj tërheqje ishin ditët më të rënda për këtë anë, sepse u shpall rrethimi në qytet, ku sipas saj asnjë shqiptarë nuk mundet dhe nuk guxon të hyjë në qytet, nuk guxon të bredhë dhe të shihet rrugëve, shtëpitë nuk guxojnë të mbyllen as ditën dhe as natën. Njësitet e Brigadës XVII serbo-maqedonase, pjesëtarët e shërbimit serb bënë masakër të paparë mbi popullsinë shqiptare, duke mos kursyer as gra, as fëmijë e as pleq.
Madje, gjatë ekzekutimeve, pushteti jugosllav i detyroi disa romë që në tërë qytetin të përdorin daulle e surle, me qëllim të eliminimit të zërit torturues të lëshuar nga viktimat civile shqiptare. Shqiptarët vriteshin kudo, sipas dëshmitarëve që nga shkolla e Muzikës, nga OZNA që ishte përballë Postës së Madhe, e rrugës së Xhamisë së Madhe e deri te Ura e Maskatarit, që për lumin Mirusha thuhet se uji mori ngjyrën e kuqe dhe ka qenë përplot me viktima shqiptare, por jo vetëm, sepse masakra kryhej edhe te Kombinati i Duhanit, të cilët u therur me armë të ftohta, disave u rripej lëkura, u priteshin kokat, madje disa edhe i digjnin në furrë të druve.
Në burgun e Gjilanit ishte kryer masakër e madhe, sipas dëshmisë së Shaban Haxhi Demaliaj, i cili ishte komandant i Brigadës së VII Kosovare, ishte partizan, por kundërshtoi dhe u mundua me çdo gjë që ta parandalonte masakrën.
Ai në kujtimet e tij tregon se si nuk ju lejua hyrja në burg, pa lejen e komandantit të shtabit të brigadës maqedonase dhe shton se provoi edhe më vonë, por nuk ju lejua të hynte në burg, në mënyrë që forcat e burgut të përfitojnë mundësi dhe kohë që të largonin kufomat e mbytura me sëpatë dhe vazhdon:
“Kështu kur hyra në mëngjes, shihej gjaku i mbetur në borë në shumë vende. Sapo hyra pashë se të burgosurit ishin shumë të shqetësuar, qëndronin në këmbë duke u dridhur, pasi pritnin fatin e atyre të tjerëve që ishin mbytur më parë. Në fytyrat e tmerruara kuptova se në burg ishte kryer një masakër e llahtarshme.”
Haxhiu thotë se aty e kishte kuptuar se natën, rojet e burgut i kishin nxjerrë të burgosurit nga burgu, i kishin mbytur dhe i kishin hequr kufomat e tyre. Nëpër oborrin e burgut Haxhiu thotë se qe dëshmitar okular i truve të shpërndarë andej këtej, ndërsa në WC ai pa shumë këpucë të përgjakura.
Përkundër që Vllada Popoviq premtoi një hetim për Masakrën e Gjilanit, ajo nuk ndodhi kurrë, përkundrazi, qytetarët e Gjilanit u shpallën armiq, sepse llogariteshin që I kishin luftuar. Mungesa e tyre ndjehet edhe tani, sepse disa shqiptarëve të likuiduar në mënyra të ndryshme edhe sot ju mungojnë varret, sepse pushteti i kohës i kishte varrosur kudo. Mendohet se varr masiv ka në kazermën e ushtrisë në Gjilan. Këtë masakër e pranuan edhe udhëheqësit politikë e ushtarakë të asaj kohe. Vetëm në një natë dëshmohet se janë vrarë 130-150 shqiptarë, dhe kjo ngjarje zgjati nga fundi i vitit 1944 e deri në fillim të vitit 1945 dhe vazhdoi por me një ritëm më të ngadaltë sesa gjatë viteve 1944/45.
Shqiptarët nuk e kishin ndier veten fajtorë dhe kjo i bëri që shumica mos të mbrohen fare, dhe të bien në duar të forcave serbe të pa armatosur. Kjo ngjarje duhet të përkujtohet vazhdimisht, madje brezit të rinj u themi se kjo ngjarje nuk është e vetmja, sepse ka shumë ngjarje të këtij lloji në tërë Kosovën, të cilat na dëshmojnë dhe kujtojnë sesa e shtrenjtë është liria që ne sot e gëzojmë.
Tryeza është organizuar nga profesorët Ilir Vokshi dhe Blerim Haziri në bashkëpunim me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport Kushtrim Zeqiri.
Në Tryezë me punimet e tyre u paraqiten Mr. Alirizah Selmani në temën “Masakrat serboçetnike në lagjen Derëmëhallë të Gjilanit në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945”, ku studiuesi Selmani foli për të vrarët në lagjen Derëmahallë, shumica nga të cilët ishin intelektualë të kohës, zejtarë e qyetatërë të zellshëm të Gjilanit. Dr. Sabile Keçmezi Basha u paraqit me temën “Masakra e Gjilanit: Një analizë e synimeve të Politikës Serbo-Jugosllave”, duke e konsideruar Masakrën e Gjilanit si një ndër ngjarjet më tragjike në historinë e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dr. Fitim Rifati – u ndal te “Epopeja e Gjilanit e vitit 1944-vlerë kombëtare për Shqipëri të lirë e të bashkuar”, duke folur për luftërat dhe udhëheqësit e kryengritësve shqiptarë në Rajonin e Gjilanit, të cilën e ka cilësuar luftë për atdhe dhe bashkim kombëtar. Sipas Rifatit, udhëheqësit shqiptarë e kishin kuptuar se lufta çlirimtare ishte e vetmja rrugë për liri, andaj në përballje me armikun ishte krijuar një front në vijën 170 kilometërshe nga Llapi e deri në Karadak.
Mr. Nexhmedin Sejdiu në temën e tij “Masakra e Gjilanit e vitit 1944/45”, ndër të tjera ka theksuar se nga forcat serbo-maqedonase ka patur 21 fushata të organizuara spastrimi dhe në to u vranë burra, gra, pleq e fëmijë nëpër lokalitete të ndryshme.
Dr. Jeton Idrizi , studiues nga komuna e Vitisë u paraqit me temën “Masakrat dhe torturat e pushtuesve bullgarë ndaj popullsisë shqiptare në Gjilan dhe rrethinë gjatë Luftës së Dytë Botërore”, duke gjetur se trevat shqiptare që ishin nën Bullgari i ishin nënshtruar një terrori të paparë nga forcat bullgare, të cilat kishin për qëllim zhdukjen e shqiptarëve, derisa Mr. Ilir Vokshi trajtoi “Situatën e përgjithshme në Kosovë në fund të Luftës së Dytë Botërore” dhe Dr. Blerim Haziri, që foli për përpjekjet e Mulla Idriz Gjilanit në ndaljen e asaj që përjetuan shqiptarët në fundvitin 1944 e fillmvitin 1945, duke trajtuar temën “Mulla Idriz Gjilani me luftëtarë shqiptarë në përpjekje të ndaljes së Masakrës së Gjilanit.
Pati edhe rrëfime personale nga dëshmitari i Masakrës së Gjilanit, si Jakup Berisham që rrëfeu për këto ngjarje të bujshme nga perspektiva e një fëmije që atëherë ishte tetëvjeçarë dhe atë që i kishin rrëfyer më pas prindërit dhe fqinjët e tij.
Ndryshe në këtë tryezë edhe publiku u angazhua aktivisht dhe ngritën çështje të ndryshme. Hajrush Redenica, ka rrëfyer mbi Masakrën e Tivarit nga perspektiva e të afërmeve të tij, Ismajl Kurteshi u angazhua që në Gjilan të bëhet një obelisk apo punim artistik që do t’i dedikohej kësaj ngjarje madhore dhe të vendoset në qendër në mënyrë që gjeneratat e reja të mësonin, Tefik Basha u angazhua që tërë këto punime të botohen në një libër të veçantë, Yll Isufi, u angazhua për mbledhjen e të dhënave nga ata që kanë përjetuar këto ngjarje apo që dinë për to, derisa zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka bërë një paralele ndërmjet asaj që kishte ndodhur gjatë LDB-së dhe luftës së fundit në Kosovë dhe mësimet që shqiptarët kishin nxjerrë nga historia e tyre.
Të gjitha reagimet:
33