Nagip Arifi: “Derisa të jem kryetar i Bujanocit, terroristët nuk do të gëzojnë respekt”
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, përmes faqes së tij në facebook, ka njoftuar se është akuzuar për mos uljen e flamurit shtetërorë të serbisë në gjysmështizë, me rastin e shpalljes “ditë zie” nga shteti serb, e që ndërlidhet me rastin e Banjskës së Zveçanit të Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2023.
“Me ftesë të Gjykatës për Kundërvajtje në Vranjë, dega në Vladiçin Han, sot u paraqita në zyrat e kësaj gjykate me akuzën për mos ulje të flamurit shtetëror në gjysëm shtizë me rastin e shpalljes ditë zie të datës 27.09.2023 që ka të bëjë me rastin e Banjskës së Zveçanit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Arifi.
Kreu i Komunës së Bujanocit, më tej ka shtuar se është denoncuar përmes letrave anonime.
“Më vjen keq që akoma ka njerëz të atillë që përmes letrave anonime duan që të më akuzojnë dhe të më pengojnë në ushtrimin e detyrës së kryetarit të komunës. Besoj që edhe kësaj here, si shumë herë më parë, do të dal faqebardhë”, ka shtuar Arifi.
I pari i Komunës së Bujanocit, në fund ka thënë se derisa të jetë kryetar i komunës, mbetet i palëkundur e konsistent në qëndrimet e tij.
“Derisa unë të jem kryetar, terroristët nuk do të gëzojnë respekt. Ecim përpara!”, ka përfunduar shkrimin/statusin/njoftimin Arifi.