
“Me rrënjë në Kosovë, me ëndërra globale” – Intervistë me bashkatdhetaren nga Gjilani në Londër, Lirka Kadriu – eksperte e inxhinierisë, menaxhimit dhe biznesit global
Kush është Lirka Kadriu?

Lirka Kadriu është një emër që rezonon me sukses, përkushtim dhe krenari shqiptare në zemër të Londrës. Me origjinë nga Gjilani i Kosovës dhe vendbanim në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se tri dekada, ajo është një figurë frymëzuese në fushën e inxhinierisë, menaxhimit dhe biznesit global.
Ka përfunduar tre fakultete: Energjetikë në Prishtinë, Informatikë në London South Bank University dhe Menaxhment & Marketing në Imperial College – një kombinim që i ka hapur dyert në industrinë teknologjike ndërkombëtare. Sot, Lirka është Menaxhere Globale për Zhvillimin e Biznesit në fushën e sensorëve elektronikë, duke udhëtuar rregullisht në kontinente të ndryshme për të ndërtuar partneritete dhe për të avancuar teknologjitë e së ardhmes.
Por rrugëtimi i saj nuk ka qenë i lehtë. Fillimet në Angli ishin sfiduese – përballja me një gjuhë të re, një sistem të ri ekonomik dhe një shoqëri të ndryshme. “Adoptimi në kapitalizëm ishte sfidë më vete”, kujton ajo, “por me shumë mund dhe sakrificë, ëndrrat u jetësuan, integrimi u realizua dhe stabiliteti u fitua.”

Nga Telekomi në investime globale
Karriera e Lirkës nisi në fushën e telekomit, ku punoi si inxhiniere software për France Telecom R&D UK. Më pas, me diplomimin në fushën e menaxhimit dhe marketingut, ajo kaloi në pozita të larta menaxheriale në kompani prestigjioze ndërkombëtare. Aktualisht, përmes rolit të saj si drejtuese globale në industrinë e sensorëve elektronikë, ajo ka qenë së fundmi në Kinë dhe në Kili, ku kompania e saj ka zyra dhe fabrika prodhimi.
Kudo që shkon, Lirka nuk është thjesht një profesioniste – ajo është edhe ambasadore e heshtur e pasurive dhe potencialit të trojeve shqiptare. “Gjithmonë mundohem të promovoj Kosovën dhe Shqipërinë si destinacione për investime, veçanërisht në pasuritë nëntokësore dhe energjinë e ripërtrishme.”

Në zemër të diasporës: “Gjuha shqipe është atdhe”
Edhe pse ka jetuar mbi 31 vite në Londër, Lirka nuk e ka humbur asnjëherë lidhjen me atdheun. Është e pranishme në evente kulturore dhe bamirëse, mbështet artistët shqiptarë dhe është e përkushtuar për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë. Ajo e përmbledh këtë ndjenjë me një fjali të vetme:
“Në mërgatë, gjuha shqipe është atdhe.”
Përjetimi i “Kadare Night” në Londër
E pyetur për eventin Kadare Night, Lirka ndan një emocion të veçantë:
“Ajo mbrëmje në Royal Academy of Music më çoi përtej pritshmërive tradicionale. Festuam ditëlindjen e gjeniut të letrave shqipe në mënyrë madhështore. Ishte shëlbim për shpirtin dhe mendjen. Kadare ishte mes nesh – edhe pse pushonte në lartësinë qiellore.”
Ajo përgëzon organizatorët e eventit, Tomorr Kokona dhe Mariela Cingo, për një organizim të klasit të parë, si dhe performuesit Greta Papa (violinë), Mariela Cingo (piano) dhe aktorin R.J. Wilton për interpretimin emocional të poezive.
“Evente të tilla janë thelbësore – sepse aty lindin projektet e ardhshme dhe aty kultivohet shpirti shqiptar në diasporë.”

Një akt dashurie: Ri-zbukurimi i bustit të Skënderbeut në Londër
Një tjetër moment i veçantë që dëshmon patriotizmin e Lirkës është përfshirja e saj personale në riparimin dhe zbukurimin e ambientit përreth bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Londër.
“Pas një postimi të Ambasadorit Mal Berisha, vendosa të veproj. Me fondet e mia, bleva lule dhe materiale dekorative, dhe me duart e mia i mbolla pranë bustit. Nuk mund të qëndroja indiferente ndaj figurës që na dhuroi dritë – siç ishte dhe ngjyra e luleve që zgjodha.”
Ky akt i thjeshtë, por plot domethënie, tregon fuqinë e individit në ruajtjen e vlerave kombëtare.
Mesazh për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar
Lirka Kadriu u bën thirrje shqiptarëve të diasporës të ruajnë unitetin, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të mos harrojnë rrënjët:
“Të jemi të bashkuar, të promovojmë vendin tonë, dhe mbi të gjitha, të ruajmë gjuhën shqipe – gurin më të çmuar që kemi.”
Ajo propozon disa ide konkrete për zhvillimin e komunitetit:
- Krijimi i një qendre kulturore shqiptare për të shkëmbyer përvoja dhe njohuri.
- Hapja e një klubi rinor për të rinjtë shqiptarë – si mjet për parandalimin e asimilimit.
- Një platformë ndihmës për të forcuar solidaritetin brenda komunitetit.
- Vizita të rregullta të ministrave të diasporës nga Kosova dhe Shqipëria.
- Më shumë mbështetje nga ambasadat për komunitetin, përtej interesit ekonomik.“
Një figurë që frymëzon gratë shqiptare
Roli i Lirkës në diasporë shkon përtej sukseseve personale. Ajo është një model frymëzimi për vajzat dhe gratë shqiptare:
“Me vizion dhe përkushtim, çdo ëndërr mund të bëhet realitet. Dua të tregoj që vajzat shqiptare mund të arrijnë gjithçka.”
