Me 131 vota PËR, 29 kundër dhe 11 abstenime ka kaluar raporti i Bakoyianis
Çka pritet tash?
Pasi Asambleja Parlamentare ka votuar pro anëtarësimit të Kosovës të martën, çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Por, ka zëra në qarqet diplomatike që thonë se anëtarësimi i Kosovës mund të mos vendoset fare në agjendën e takimit e ministrave në maj.
Kjo lidhet edhe me aktivitetin e vendeve të QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, të cilat zakonisht e mbështesin Kosovën, por tani duan të shohin nga Kosova lëvizje drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sa i përket raportit, për të cilin u votua sot, në të themelimi i Asociacionit përmendet si kusht pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.