Mbreti Charles III me mesazh urimi për 18-vjetorin e Pavarësisë: Miqësia mes Kosovës dhe Britanisë mbetet e qëndrueshme
Mbreti Charles III i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Mbreti Charles III ka shprehur urimet më të ngrohta për popullin e Kosovës, duke vënë theksin te raportet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, thuhet në letrën e Mbretit Charles III, e cila është publikuar nga Ambasada Britanike në Kosovë.
Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla kanë uruar paqe, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.
