![Kryeziu: Qeveria nuk ka të bëjë me serverë të KQZ-së](https://tvgjilani.com/wp-content/uploads/2025/02/687312-y1MYbd9RHb.jpg)
Kryeziu: Qeveria nuk ka të bëjë me serverë të KQZ-së
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
![](https://tvgjilani.com/wp-content/uploads/2024/04/vali-ranch-2.jpg)
“Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë, kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion. Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik”, tha ai.
Sipas tij, akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
“Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, tha Kryeziu.
![](https://tvgjilani.com/wp-content/uploads/2023/11/libertas2.jpg)