Kryetari Rahimaj Pret Kolonelin e Ri të KFOR-it
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Nënkrytaren Arta Bajralija dhe Zëdhënësen e Komunës Lidiona Marovca, kanë pritur në takim Kolonelin e ri të KFOR-it, Sam Sargeant, me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, palët diskutuan zhvillimet e fundit në Kamenicë dhe përpjekjet e përbashkëta për rritjen e sigurisë së qytetarëve. Kryetari Rahimaj prezantoi shkurtimisht komunën, duke theksuar bashkëjetesën e mirë në komunitet dhe trajtimin e çështjeve të sigurisë për qytetarët nga komunitete të ndryshme.

Ai gjithashtu ndau me kolonelin disa nga sukseset institucionale dhe projektet e mira që janë në proces, si dhe foli për veprimtarinë e KFOR-it në Kamenicë dhe ndikimin e saj në rritjen e ndjesisë së sigurisë tek qytetarët.
Palët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushat e menaxhimit territorial dhe situatave emergjente, si dhe fuqizimin e degës së zjarrfikësve në Kamenicë, përmes bashkëpunimit me KFOR-in dhe pajisjes me makineri të reja për ndërhyrje.

Në përfundim, të dyja palët ranë dakord për një bashkëpunim ndërinstitucional, me qëllim rritjen e mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve të Kamenicës dhe komunave përreth.



