Kryetari Rahimaj mban dëgjimin përfundimtar për Projekt-Buxhetin për vitin 2024 në Kamenicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka mbajtur dëgjim me qytetar për Projekt-Buxhetin për vitin 2024.
Pjesëmarrës në këtë dëgjim ishin: Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, Drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Ardita Dërmaku, Nënkryetarja për Komunitete, Aleksandra Jovanovic, Zyrtari Kryesor Financiar, Naser Hashani, zyrtarë të tjerë komunal përgjegjës për mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, qytetarë të Komunës së Kamenicës, media, OJQ dhe të tjerë.
I pari i komunës duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje jo vetë në këtë dëgjim por edhe në dëgjimet tjera, theksoi se këtë vit është rritur numri i dëgjimeve në mënyrë që të trajtohen edhe më shumë kërkesa të qytetarëve.
“Faleminderit drejtoreshë dhe të gjithë këtij ekipi komunal që ka qëndruar afër banorëve në secilin lokalitet në 27 dëgjime buxhetore që kanë pas për qëllim shpalosjen e projekteve për vitin 2024. Po dua t’iu falënderoj të gjithëve që keni ardhur në numër kaq të madh që t’i diskutojmë të gjitha ato që juve ju shqetësojnë. Jemi të hapur për kritika në raport me obligimet që na takojnë në mënyrë që të ndikojmë në mirëqenien e qytetareve. 27 dëgjime buxhetore në krahasim me vitin e kaluar kemi 7 më shumë, edhe pse vitin e kaluar kemi qenë Komuna e parë më me së shumti dëgjime, por me rritjen e numrit është rritur pjesëmarrja si të gratë edhe tek burrat, e poashtu janë rritur edhe kërkesat”, ka thënë ai.
Kryetari Rahimaj ka theksuar se jo të gjitha sfidat zgjidhen brenda një viti por që sipas tij do të punohet që ato nevoja që janë më me prioritet të trajtohen së pari.
“Vitin e kaluar buxheti ka qenë i ndarë me projekte konkrete, dhe për herë të parë në Kuvendin Komunal është votuar nga të gjitha subjektet politike. Të njëjtën logjikë jemi duke e ndjekur edhe sot, në mënyrë që bugjeti që do të propozohet para Kuvendit të jetë specifik me problemet që do të trajtojë, dhe të jetë gjithpërfshirës në të gjitha lokalitetet. Ne problemet i ndajmë në dy forma: ato që i takojnë nivelit lokal dhe prapë ato që i takojnë nivelit lokal por të cilat kanë kosto të lartë, e që këtu duhet të kërkojmë ndihmë nga niveli qëndror për zgjidhjen e tyre. Ne do të jemi transparent me ju, dhe për të gjitha kërkesat që nuk hyjnë në buxhet do të japim përgjigje me shkrim për arsyen se përse nuk ka hyrë”, është shprehur ai.
Në këtë dëgjim Kryetari Rahimaj ka prezantuar projektet e realizuar vitin e kaluar në Kamenicë, si dhe ato që janë në proces në të gjitha fushat përfshirë: infrastrukturën rrugore, ujore, subvencionet, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera.
Qytetarët e Kamenicës, në takim kanë paraqitur kërkesat e tyre të cilat ishin të ndryshme si: asfaltim të rrugëve, shtrim të rrugëve fushore me zhavor, kanalizim, vend për mbeturina të ngurta, ujë të pijes, kanalizim, zgjidhje për qentë endacak, rregullim të trotuareve nëpër lagje, përfundimin e punimeve në shesh, vendosjen e shtatorës së veprimtarit “Metush Krasniqi”, rregullim të kanaleve atmosferike, renovim të banesave kolektive, zgjerim të urave, dhe kërkesa tjera që janë e evidentuar në procesverbal.
All reactions:
3232