Kryetari Hyseni priti artistin Brilant Milazimi për Bienalen e Venecias
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, priti artistin Brilant Milazimi, i cili do të përfaqësojë Kosovën në njërën prej skenave më të mëdha botërore të artit, Bienalen e Venecias, që nis më 6 maj.
Në takim ishin gjithashtu Hana Halilaj nga Galeria Kombëtare e Kosovës, drejtori për Kulturë Kushtrim Zeqiri dhe zyrtari i Galerisë së Arteve në Gjilan, Din Azizi. Diskutimet u fokusuan në rrugëtimin e Brilantit dhe mënyrat e mbështetjes së komunës.
“Komuna e Gjilanit do të ofrojë mbështetje financiare për këtë rrugëtim të rëndësishëm, duke qëndruar pranë artistëve tanë që i japin zë dhe vlerë kulturës sonë,” tha Hyseni, duke shtuar se me talentin e tij unik, Brilant Milazimi do të përfaqësojë me dinjitet Gjilanin dhe Kosovën.
Kryetari i uroi sukses artistit dhe riafirmoi angazhimin e komunës për përkrahjen e të gjithë artistëve të Gjilanit që vazhdimisht bëjnë krenar qytetin.
