Kosova mahnit botën: fitore spektakolare dhe afër Botërorit 2026
Mediumet më prestigjioze botërore i kanë kushtuar vëmendje të madhe fitores dramatike të Kosovës ndaj Sllovakisë në plejofin kualifikues për Botërorin 2026.
“Dardanët” triumfuan me rezultat 4:3 në Bratislavë, në një ndeshje spektakolare, duke siguruar finalen e plejofit, ku të martën do të përballen me Turqinë. Një fitore në këtë takim do të shënonte një moment historik, pasi Kosova do të kualifikohej për herë të parë në një turne madhor ndërkombëtar.
Agjencia prestigjioze Reuters e ka cilësuar këtë rezultat si një “shok”, duke shkruar: “Kosova shokon Sllovakinë për të siguruar finalen e plejofit në shtëpi ndaj Turqisë”, duke vënë në pah karakterin e papritur të fitores.
Ndërkohë, BBC në përmbledhjen e saj sportive thekson se “Kosova po jeton ëndrrën e kualifikimit për Botërorin e parë”, duke nënvizuar rrugëtimin historik të përfaqësueses.
Edhe media të tjera evropiane kanë evidentuar dramën e ndeshjes dhe shpirtin luftarak të Kosovës, duke e cilësuar këtë sukses si një nga surprizat më të mëdha të fazës së plejofit.
