Kosova fiton në arbitrazh rastin “Dardafon”
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se nëpërmjet Avokaturës Shtetërore, Kosova ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë Devolli në rastin e “Dardafonetit”.
Kurti shkroi në Facebook të enjten se kjo është fitorja e tretë e radhës e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, ndërsa tha se kompania i kishte kërkuar 45 milionë euro, në pretendimet për shpronësimin e operatorit të rrjetit celular virtual.
“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës. Përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, z.Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e z.Devolli. Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, shkroi Kurti.
Kryeministri shkroi se edhe rastet “Bedri Selmani”, dhe “IuteCredit”, kanë rezultuar në fitore të plota, e vlera e përbashkët sipas tij, kap shumën prej 145 milionë euro.