
Komuna e Gjilanit: “Vazhdon ndërtimi i rrugës në Kokaj që e lidhë me Preshevën, vlera e projektit 569 mijë euro”
Vazhdojnë punimet për ndërtimin e rrugës në fshatin Kokaj, e cila lidh Preshevën dhe fshatrat shqiptare përtej kufirit

Po vazhdojnë punimet për ndërtimin e rrugës në fshatin Kokaj, e cila lidh fshatrat në brezin kufitar të Komunës së Gjilanit me ato të Komunës së Preshevës.


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimin, kanë parë nga afër punimet në këtë rrugë me gjatësi mbi 3 kilometra, vlera e të cilit është mbi gjysmë milionë euro.


Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se në Kokaj po ndërtojnë një nga rrugët më të rëndësishme për zonën.
Sipas tij pas një pauze për shkak të motit, punimet kanë rifilluar dhe po ecin me ritëm shumë të mirë.
I pari i komunës, tha se rruga e re ka 3.260 metra gjatësi, 5.5 metra asfalt dhe hapësira shtesë përtej tij.
Vlera e projektit: 569.000 euro.
“Kjo rrugë do të jetë jo vetëm ndër më të bukurat që kemi ndërtuar, por edhe një lidhje e rëndësishme me Preshevën dhe fshatrat shqiptare përtej kufirit”, tha kryetari Alban Hyseni.
