
Katër logopedë të rinj nisin punën në shkollat e Gjilanit
Në Gjilan është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet OJQ-së “Inkluzioni” dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit, me qëllim forcimin e gjithëpërfshirjes në arsim.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, katër logopedë të rinj do të jenë në shërbim të shkollave të komunës gjatë këtij gjysmëvjetori, për të mbështetur fëmijët me vështirësi në të folur dhe komunikim.
Projekti parasheh ofrimin e shërbimeve logopedike në shkollat dhe institucionet parashkollore të Komunës së Gjilanit, si dhe në Qendrën Burimore të OJQ-së “Inkluzioni”, duke lehtësuar qasjen e fëmijëve dhe familjeve të tyre në mbështetje profesionale.
Ky hap vlerësohet si një zhvillim i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor të komunës.
