
Kamenicë: Zjarre të mëdha përfshijnë disa male në fshatrat e Kamenicës – apel për kujdes nga Kryetari Rahimaj
Kryetari Kadri Rahimaj ka vizituar disa nga malet në fshatrat Meshinë, Feriçevë, Tygjec dhe Gmicë të cilat janë përfshirë nga zjarret.

Ai ka thënë se zjarrëfikësir po përballen me terren të vështirë, që e bëjnë ndërhyrjen edhe më të rrezikshme.



Ndërsa në terren gjenden 22 zjarrëfikës, ata po ndihmohen edhe nga dy helikopterë të KFOR-it dhe së fundmi në ndihmë ka arritur edhe një ekipë e dytë (zjarrëfikës dhe dy kamione) nga zjarrfikësit e Gjilanit.

I pari i komunës ka theksuar se çdo zjarr shkatërron jetë, jo vetëm të njerëzve, por edhe të pyjeve, kafshëve dhe biodiversitetit tonë.
“Duhen dekada që natyra të rikuperohet, por vetëm pak minuta pakujdesi për ta humbur.
Ju bëj thirrje të gjithëve që të tregoni kujdes të madh gjatë veprimtarive në natyrë. Mos ndizni zjarre, mos hidhni mbeturina që mund të shkaktojnë flakë, dhe lajmëroni menjëherë nëse vëreni tym ose zjarr”, ka thënë ai.
