Ka ndërruar jetë Musa Halili, ish-punëtor i arsimit
Ka ndërruar jetë në moshën 79- vjeçare Musa Halili, ish-punëtor shumëvjeçar i arsimit në Gjilan.
Musa Halili, ishte i lindur në Gjilan më 22.02.1944. Shkollën fillore e kreu në vitin 1960 në Gjilan, pastaj diplomoi me sukses në shkollën normale pesëvjeçare në vitin 1965 po ashtu në Gjilan. Pas përfundimit të shkollës normale, menjëherë në vitin 1965-66 filloi të punojë si mësues në fshatin Bukovik dhe Malishevë, ku si mësues të rinj të asokohe ushtruan këtë detyrë të shenjtë me shumë vullnet dhe dashuri për t’i pajisur fëmijët me dituri duke i edukuar dhe arsimuar ata.
Pasi që kreu detyrën e shërbimit ushtarak për 24 muaj më radhë në Armatën Jugosllave mori titullin si oficer aktiv (nëntoger), i cili ushtroi këtë detyrë gjatë viteve 1971-75. Pas përfundimit të kësaj periudhe u kthye në Gjilan dhe punoi profesor i lëndës “Mbrojtje dhe Siguri”.
Më pas regjistroi fakultetin juridik në Prishtinë, të cilin e kreu për katër vite me punë të palodhshme. Pas diplomimit, filloi punën profesor i lëndëve juridike në Gjimnazin “Zenel Hajdini”. Karrierën e tij e vazhdoi si sekretar i shkollës së mesme “Eduard Kardel”, Gjilan prej vitit 1988 për disa vite me radhë. Për të dhënë kontribut edhe më të lartë pas përfundimit të luftës, vendosi të mos kthehet në vendin e tij të punës si sekretar, për arsye që tani në liri do të duhej të punësohen të rinj dhe të reja.
Pensionimin e priti deri në vitin 2009 pranë familjes me nipa dhe mbesa e gjithë farefisin për të cilin u kujdes çdo herë me solidaritetin e tij të madh. Ndërroi jetë më 20 shkurt 2023, të cilin e gjithë familja jonë do e kujtojnë me shumë mall dhe do krenohemi për njeriun që ka qenë, thuhet në njoftim.