Jarovic vendos në fund, Gjilani përmbys Prishtinën e Re dhe vazhdon garën për Evropë
Gjilani ka arritur një fitore të rëndësishme në udhëtim, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 1-2 pas një përmbysjeje dramatike.
Ndeshja nisi më mirë për vendasit, të cilët kaluan në epërsi shumë herët. Ishte Cheick Doukoure ai që realizoi për 1-0 që në minutën e tretë, duke i dhënë avantazh të shpejtë Prishtinës së Re.
Megjithatë, reagimi i Gjilanit nuk mungoi. Në minutën e 39-të, Robert Rrahmani realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat dhe për ta rikthyer ekipin në lojë.
Vendimi i ndeshjes erdhi në minutat e fundit, kur Gjilani fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje në zonë. Përgjegjësinë e mori Senad Jarovic, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për të vulosur fitoren 1-2.
Me këtë triumf, Gjilani ngjitet në kuotën e 42 pikëve në vendin e tretë, duke mbajtur gjallë synimet për një vend në garat evropiane. Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 24 pikë.
