Infermierët Ramiz Thaqi e Ilaz Selimi – dy viganë të Infermierisë
Në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë përkujtohen infermierët Ramiz Thaqi e Ilaz Selimi – dy viganë të infermierisë në Komunën e Kamenicës dhe në Malësinë e Bujanocit.
Shkruan: Xhevdet Kallaba
Dita Ndërkombëtare e Infermierisë më 12 maj shënohet çdo vit në çdo cep të globit për të përshëndetur infermierët e tyre të përkushtuar. Në këtë ditë të veçantë, përveç infermierëve të gjallë, ne duam të kujtojmë dhe të nderojmë (post mortem) dy infermierët shumë të përkushtuar të Kamenicës e të Malësisë së Bujanocit, të cilët do të jetojnë përherë në kujtimet tona, Ramiz Thaqin dhe Ilaz Selimin.
Ramiz Thaqi qe lindur më 25 shtator 1946. Pas shkollimit fillor në Roganë ishte regjistruar në shkollën e mesme të Mjekësisë në Prishtinë, të cilën e kishte përfunduar më 1965. Ai ishte kuadri i parë shqiptar në fushën e infermierisë në Komunën e Kamenicës, që kishte përfunduar shkollën e mesme të Mjekësisë. Karrierën e tij prej infermieri e kishte filluar në Klinikën e Neuropsikiatrisë në Prishtinë, ku kishte punuar rreth një vit e gjysmë. Nevoja dhe dëshira e Ramizit për ta ndihmuar popullatën në Komunën e Kamenicës, ai kthehet dhe punësohet në Stacionin shëndetësor në Kamenicë, për të vazhduar pastaj në pikën shëndetësore në Muçivërc dhe sërish në QMF në Kamenicë deri më 26 dhjetor të vitit 2005, kur, nga një sulm kardiak ndërron jetë, por tashmë i rrënjosur thellë në zemrat e popullatës së këtushme.
Ndonëse për shkaqe materiale, Ramizi i kishte ndërprerë studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, bashkëpunimi në baza ditore me mjekë specialistë fushash të ndryshme, në fshatrat e thella të Hashanisë, ai njihej edhe si “Doktor Ramizi”.
Pa dyshim, shtëpia e “Dr Ramizit”, pas orarit të punës, ishte shndërruar për vite të tëra në ambulancë, ku frekuentonin pacientë nga çdo cep i kësaj komune. Si në periudhën e luftës në Kosovë, po ashtu edhe gjatë zhvillimeve luftarake të UÇPMB-së në Luginën e Bujanocit “Dr Ramizi” ishte i furnizuar mirë me pajisje sanitare, sidomos me barna dhe injeksione, të cilat me veturë personale dhe me humanizëm i shpërndante gjithandej ku e kërkonte situata dhe momenti.
Ramiz Thaqi kishte një bashkëpunim tejet të mirë edhe me kolegun e tij, Ilaz Selimin, i cili po ashtu ishte një shtyllë e fortë si infermier në Malësinë e Bujanocit.
Njësoj sikur “Dr. Ramizi”, po ashtu edhe “Dr. Ilazi” ishte mëse i njohur në Malësinë e Bujanocit. Në situata të caktuara Ilazi ndërmerrte hapat e një mjeku specialist ose përcillte pacientin deri te specialisti i fushës.
Në Malësinë e Bujanocit, popullata ka qenë përherë e varfër dhe në kushtet e izolimit, ndihma mjekësore ishte e rrallë dhe shumë e nevojshme. Kështu Ilaz Selimi, ose siç e quante popullata e këtushme “Doktor Ilazi” ka qenë përherë në shërbim të komunitetit dhe ka qenë shembull për përkushtimin e tij të madh ndaj punës së tij, për ta ndihmuar popullsinë e Malësisë së Bujanocit në rastet e nevojshme.
Ilaz Selimi kishte lindur më 21 janar 1928 në fshatin Novosellë të Bujanocit. Fillimisht ka punuar mësues prej vitit 1945 deri më 1949 kur detyrohet të shkojë në shërbim ushtarak. Fati e kishte dashur që Ilaz Selimi të rekrutohej për sanitar ushtarak, kështu që pas një kursi të kësaj fushe vepron edhe si nënoficer sanitar në Vërshac të Kroacisë.
Me të përfunduar të ushtrisë ai punësohet në ambulancën e Muhocit, kurse më pas hap edhe një ambulancë në fshatin Zarbicë. Falë përvojës së tij, por edhe ndjeshmërisë humaniste për popullatën e Malësisë së Bujanocit “Dr. Ilazi” ishte bërë edhe një mjek ambulantor, ku me çantën e tij përplot me barna kishte vizituar çdo fshat dhe lagje të Malësisë së Bujanocit, duke ndihmuar pacientët dhe duke luftuar, sidomos, sëmundjen e tuberkulozit dhe sëmundje të tjera ngjitëse që ishin vazhdueshëm të pranishme në atë rajon. Ilaz Selimi, veç angazhimit të tij si infermier, ai ka dhënë kontribut jetësor edhe në rregullimin e infrastrukturës rrugore që kishte rezultuar me hapjen e linjës së autobusëve nga Zarbica në Gjilan.
Humanizmi i tij ishte bërë pengesë për organet e UDB-së serbe, kështu që më 5 dhjetor 1985 burgoset dhe dënohet me katër vjet burg të rëndë. Ilaz Selimi ndërron jetë më 5 prill 1998, por jeton përherë në kujtesën e banorëve të Malësisë së Bujanocit.
Të gjithë ne të cilët ndiejmë dëshirën për të ndihmuar në këtë kohë, të kujtojmë se jemi një popull, një komunitet, dhe se asnjëherë nuk duhet të harrojmë vlerën e punës së infermierëve dhe specialistëve të tjerë mjekësorë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të bashkëpunojmë si një ekip për ta lënë këtë botë një vend më të mirë për të gjithë.
Ramiz Thaqi dhe Ilaz Selimi janë shembull për njerëzit në komunën e Kamenicës dhe në Malësinë e Bujanocit. Duke kujtuar këta dy infermierë me famë në Anamoravë e Malësi të Bujanocit, drejtojmë përshëndetje dhe nderim të plotë për të gjithë infermierët në botë, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë. (Xh.Kallaba)