
I nominuar për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli: “Gjilani ka nevojë për një fillim të ri!”
I zyrtarizuar kohë me parë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan për kryetar të kësaj Komune në zgjedhjet e paralajmëruara për muajin tetor, Arbër Ismajli, në vazhdën e publikimeve të intensifikuara së fundi në faqen e tij, ka shkruar veç tjerash se Gjilani ka nevojë për një fillim të ri.

”Do ndërtojmë një ekip të përkushtuar, me njerëz të dijshëm dhe të ndershëm të këtij qyteti. Qeverisja lokale nuk duhet të jetë as lojë, as privilegj, por shërbim i pastër ndaj qytetarëve”, ka shkruar fillimisht ai.
Sipas Ismajlit, qeverisja lokale nuk duhet të jetë as lojë e as privilegj, por shërbim i pastër ndaj qytetarëve.
”Do të bëhemi gati për superprojekte të qëndrueshme për 4 vitet e ardhshme. Jo për marketing, por për zhvillim serioz të këtij qyteti që e ka kapluar heshtja qeverisëse për 4 vite. Do të vendosim rregull, transparencë dhe ritëm të ri në çdo sektor”, ka thënë Ismajli i LDK-së.
Arbër Ismajli në fund ka nënvizuar se Gjilani mund dhe duhet të qeveriset më mirë, ndryshe dhe me vizion, duke saktësuar se është koshientë me ekipin e tij për mënyrën adekuate të realizimit atij vizioni.
“E dimë ku po shkojmë dhe kemi plan se si të arrijmë aty. Qytetari padyshim që do ta ndjejë ndryshimin që e ka merituar e që e ka humbur ndër vitesh. Bashkë do të punojmë për Gjilanin që e duam dhe për komunën që e ëndërrojmë!”, ka përfunduar ai.
