Hapet aplikimi për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë
Prishtinë, 19 Tetor 2026 – Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se është hapur afati i aplikimit përfitim nga Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.
Kush përfiton dhe si aplikohet:
Sipas njoftimit, mbështetja ofrohet në formën e subvencionimit të faturës së energjisë elektrike për ekonomitë familjare që i plotësojnë kriteret e përcaktuara.
“Të drejtë aplikimi kanë ekonomitë familjare që i plotësojnë kushtet dhe kriteret e Programit. Aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe lidhet vetëm me një njehsor elektrik” – thuhet në njoftim.

Afati i aplikimit:19 Tetor 2026 – 31 Mars 2027
Si aplikohet: Përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”
Linku direkt: https://ekosova.rks-gov.net/Service/1.
Familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të marrin ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
Rregulla të rëndësishme:
“Subvencionimi fillon nga muaji i aprovimit të aplikimit dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për të përfituar gjatë gjithë periudhës së programit, rekomandohet aplikimi sa më i hershëm” – thuhet në njoftim.
Ministria thekson se të dhënat e deklaruara gjatë aplikimit verifikohen nga institucionet përkatëse dhe se deklarimi i pasaktë ose i paplotë mund të rezultojë në refuzimin e aplikimit ose kthimin e mbështetjes së përfituar.
Deklarata e Ministrit Hoti:
Pak ditë më parë, Ministri Andin Hoti njoftoi se Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë program, për të cilin janë ndarë 15 milionë euro.
“Në mbledhjen e pestë të Qeverisë miratuam Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027, përmes të cilit do të subvencionohen faturat e energjisë për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje” – ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti bëri të ditur se programi lidhet edhe me obligimet që Kosova ka marrë në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
